Skemat e mëdha të evazionit fiskal i kanë kushtuar qeverive rreth 150 miliardë euro (127 miliardë) të ardhura të humbura, tregojnë hulumtimet.
Të ashtuquajturat skemat cum-cum dhe cum-ex, janë krijuar për të shfrytëzuar dobësitë në ligjet kombëtare të taksave.
Dëshmitë nga dokumentet e publikuara dhe njerëzit e përfshirë në skema, tregojnë se taksapaguesit në Mbretërinë e Bashkuar kanë humbur një vlerë prej disa miliarda paund.
Hulumtimi hedh dritë të re mbi një skandal në rritje i cili u shfaq për herë të parë publikisht në vitin 2018.
Të ashtuquajturat tregti cum-ex ishin transaksione ku aksionet shiteshin nga një investitor tek tjetri, menjëherë para pagesës së një dividenti, por dorëzoheshin më pas.
Kjo taktikë krijoi në mënyrë efektive konfuzion mbi faktin se kush i zotëronte aksionet në momentin kur pagohej dividenti. Ajo i lejonte të dyja palët të kërkonin ulje taksash.
Kjo praktikë u bë popullore në Gjermani në fillimin e viteve 2000 dhe vazhdoi deri në vitin 2012, kur ligji u ndryshua. Ajo u përhap edhe në vende të tjera, veçanërisht në Danimarkë, por po ashtu edhe në Francë, Belgjikë, Itali dhe Austri.
Në Gjermani, prokurorët kanë nisur një sërë hetimesh penale.
Disa individë tashmë janë shpallur fajtorë për evazion fiskal. Rreth 1.000 njerëz janë aktualisht nën hetim, përfshirë anëtarë të stafit bankar, avokatë dhe ndërmjetës.
Një listë e krijuar nga programi hetimor Panorama i televizionit gjerman ARD përmban emrat e më shumë se 700 personave që po hetohen, nga të cilët 134 janë shtetas të Mbretërisë së Bashkuar.
Rritja e skandalit
Ndërsa pasojat nga çështja cum-ex kanë tërhequr vëmendjen e mediave dhe interesin e prokurorëve, deri tani, zbulimet e fundit nga hetimi i Correctiv tregojnë se mund të krijohet një skandal edhe më i madh.
Cum-ex mendohet se u ka kushtuar qeverive afro 10 miliardë euro. Por sipas studiuesve në Universitetin Mannheim, kjo shifër është shumë më e vogël se humbjet që rezultojnë nga një formë tjetër e arbitrazhit të dividentëve, e njohur si cum-cum.
Kjo strategji hyn në lojë në vendet ku investitorët vendas dhe të huaj trajtohen ndryshe për qëllime tatimore. Një investitor i huaj do të shesë ose huazojë aksione pak para pagesës së dividentit ndaj një investitori të dytë banor në vendin ku kompania është e listuar.
Pala e dytë është në gjendje të kërkojë një kredi tatimore mbi dividentin, e cila nuk do të ishte e disponueshme për një investitor të huaj. Aksionet pastaj mund t’i kalohen pronarit fillestar dhe përfitimet ndahen.
Ekipi i Manheimit ka llogaritur se midis viteve 2000 dhe 2020, kjo praktikë i kushtoi 10 qeverive, përfshirë ato të Gjermanisë, Spanjës, Francës dhe SHBA-së, një total prej 141 miliardë eurosh.
Sidoqoftë, nuk është e qartë nëse këto humbje do të çojnë në përndjekje penale. /monitor