Kryeministri islandez, Bjarni Benediktsson, i përfshirë në Panama Papers, është i dyshuar se ka shitur thuajse pjesën më të madhe të aksioneve të tij para shtetëzimit të një banke gjatë krizës financiare të 2008-tës, bënë të ditur sot media islandeze.
Bjarni Benediktsson shiti aksionet që ai zotëronte nëpërmjet një fondi investimesh tek Glitnir, një nga bankat më të mëdha të vendit në atë periudhë, disa orë nga shtetëzimi i saj.
Gazetarët shprehen se janë bazuar në dokumente zyrtare dhe e-maile për të provuar vërtetësinë e informacioneve të tyre, duke vënë në vështirësi kryeministrin tre javë nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme.
Bjarni Benediktsson, në atë periudhë deputet i Parlamentit islandez dhe anëtar i Komisionit për Çështje ekonomike dhe fiskale, nuk zotëron më 119 milionë kuronë (1,4 milionë dollarë, 971.000 euro) nga 165 milionë që kishte investuar tek fondi.
Dokumentet bëjnë me dije se ai kishte marrëdhënie të veçanta me drejtuesit e Glitnir, aq të ngushta sa mediat islandeze ngrenë pikëpyetje në lidhje me një konflikt të mundshëm interesi mes rolit të tij si deputet dhe si klient i bankës./Mesazhi/