KALLXO.com ka zbuluar planet e koalicionit PDK-AAK-NISMA për të fshehur vëzhguesit e tyre në emër të një OJQ-je joaktive.
Nga 8,800 vëzhgues të akredituar të të gjitha OJQ-ve vendore, mbi gjysma, ose 4548 janë vëzhgues të kësaj OJQ-je. KALLXO.com zbulon se vëzhguesit e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës nga regjioni i Prizrenit janë veshur nën petkun e kësaj OJQ-je e po ashtu anëtarë të PDK-së nga Gjakova kanë marrë akreditime nga kjo OJQ.
Asamblisti i PDK-së nga Gjakova, Artan Nimani i cili figuron si i akredituar nga kjo OJQ thotë se është akredituar nga partia, por se nuk e ka nënshkruar vet deklaratën e KQZ-së për akreditim.
“..akreditimin e marr kur të shkoj në parti. Unë se kam nënshkruar, ndoshta partia ka bo diçka”, tha ai.
Një tjetër asamblesit i PDK-së nga kjo komunë është Arben Rogova, i cili thotë se është akredituar nga partia dhe se akreditimin e ka marrë në degën e PDK-së në Gjakovë.
“Po po prej partisë jam akreditu edhe akreditimin e kam marrë në degë këtu në Gjakovë”, tha ai.
Ndërsa Fatmir Kastrati, asamblist i AAK-së në Prizren tha se të gjithë vëzhguesit e partisë së tij në këtë komunë janë të regjistruar në emër të kësaj organizate.
“Akronimi i krejt vëzhguesve të aleancës që i kemi këtu në Prizren është i njëjti. Akronimi është IRDDNJSP”, tha ai.
Informacioni se të gjithë pjesëtarët e AAK-së nga Prizreni janë të akredituar në emër të kësaj OJQ-je nuk është komentuar nga zyrtarët e AAK në Prishtinë. I kontaktuar nga KALLXO.com Valon Tolaj sekretar i AAK-së nuk ka komentuar ndërsa ka kërkuar që pyetjet t’i dërgohen në email në të cilin ai nuk është përgjigjur.
Në anën tjetër nënkryetari i PDK-së Uran Ismajli nuk ka dashur të komentojë për këtë çështje duke e orientuar ekipin e KALLXO.com që të kërkojë sqarime nga Blerand Stavileci i cili nuk është përgjigjur në telefon.
Për shfrytëzimin e OJQ-së për të akredituar struktura partiake KALLXO.com ka tentuar të kontaktojë me Astrit Rexhajn drejtorin e Institutit Rajonal për Demokraci të Drejta të Njeriut dhe Studime Politike por kontakti me të ka qenë i pamundur në numrin e telefonit të cilin ai e ka të shënuar në KQZ. /kallxo.com/