Skandal në Volkswagen, bënë eksperimente me njerëz dhe majmunë

Njoftimi se majmunët dhe njerëzit janë përdorur si kavje në Gjermani, për të thithur tymrat e naftës gjatë eksperimenteve të financuara nga prodhuesit vendas të automjeteve, ka shkaktuar indinjatë të thellë, përfshi atë të qeverisë së Merkelit, që i cilësoi të tilla veprime si “të pajustifikueshme”.

Mediet e huaja thonë se, studimi i ndikimit që këto tymra kanë mbi shëndetin është realizuar nga “EUGT”, një organizëm i financuar nga Volkswagen, Daimler dhe BMW.

Politikani socialdemokrat, Stephan Weil, anëtar i bordit të Volkswagenit, i cilësoi të tilla studime si “absurde dhe të neveritshme”.

Daimler gjithashtu i dënoi ato me forcë, por te Volkswageni situata është edhe më delikate, duke qenë se gjiganti i prodhimit të automjeteve u përfshi vitin e kaluar në skandalin e “software”-ve që jepnin të dhëna të rreme mbi shkarkimin e naftës.

“EUGT”-ja u shpërbë nga prodhuesit e makinave në vitin 2017. “New York Times” raportoi të enjten se eksperimentet e saj ishin projektuar të gjenin argumente kundër vendimit të vitit 2012 nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, që e klasifikonte shkarkimin e naftës si kancerogjen.

Gazeta thotë se në vitin 2014, “EUGT” kishte ekspozuar 10 majmunë ndaj tymit të një automjeti “Volkswagen Beetle” me benzinë, në një laborator të kryeqytetit meksikan, New Mexico.

Pastaj, gjatë fundjavës, “Stuttgarter Zeitung” dhe “Radio SWR” raportuan se 19 burra dhe 6 gra kishin thithur tym nafte në një tjetër eksperiment të realizuar nga i njëjti organizëm.