Pas një hetimi disa mujor, Policia e Kosovës ka arrestuar sot dy të dyshuar për veprat penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, falsifikimit të dokumentit zyrtar, dhënie e ryshfetit e falsifikim i dokumenteve.
I arrestuari i parë është një zyrtar i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike në Universitetin e Prishtinës, i cili në mënyrë të kundërligjshme dhe pas një shpërblimi të marrë prej 5000 eurove i ka lëshuar të dyshuarit të dytë certifikatën e notave dhe certifikatën e përfundimit të studimeve, raporton Gazeta Express.
Ky zyrtar i Universitetit të Prishtinës me inicialet A.J i lindur në vitin 1986 ka ndihmuar të dyshuarin e dytë me inicialet A.L të lindur në vitin 1982 që të pajiset me dy certifikata të falsifikuara, të cilat janë zbuluar nga vetë Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike kur i dyshuari i dytë ka shkuar që të marrë diplomën.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Sot, më 5 shkurt 2018, Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (NJRHKEK) e Prishtinës, pas një hetimi më shumë se një mujor, ka arrestuar dy të dyshuar për përfshirje në veprat penale: ,, “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, “Falsifikim i dokumentit zyrtar”, “Marrje e Ryshfetit”, “Dhënie e Ryshfetit”, “Falsifikim i dokumenteve”.
Policia, më 26.12.2018, ka pranuar një informatë nga Fakultetit i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike-Universiteti i Prishtinës, se personi i dyshuar: A.L. viti i lindjes 1982, mashkull, kosovar, shqiptar, ka dorëzuar dy certifikata të falsifikuara për marrjes e diplomës, me arsyetimin se ka përfunduar studimet në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës.
Pas hetimit të rastit, policia ka siguruar prova materiale se i dyshuari kryesor i rastit është zyrtari i Universitetit të Prishtinës, i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike: A.J. viti i lindjes 1986, mashkull, kosovar, shqiptar. Dyshohet se i njëjti në shpërblim prej 5000 (pesë mijë) eurove, në mënyrë të kundërligjshme ia ka lëshuar dy certifikata (certifikatën e notave dhe certifikatën e përfundimit të studimeve) të dyshuarit të parë.
Si prova materiale janë konfiskuar: një kompjuter edhe dy telefona celular të cilat dërgohen për ekzaminim në Agjencionin e Forenzikës.
Me aktvendim të prokurorit të PTH-Prishtinë, dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.