Një premtim për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme e ka dhënë ditë më parë ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri. Ai ka thënë se në një të ardhme të afërt do ta rishikojë legjislacionin për këtë çështje, pa përmendur në mënyrë specifike ligjin “antimafia”.
Për përfaqësues të shoqërisë civile, Kosova ka legjislacion të mjaftueshëm që mundëson luftimin e pasurisë së paligjshme. Por, thonë ata, nuk ka vullnet dhe guxim që të zbatohet legjislacioni në fuqi.
Artan Demhasaj, nga Organizata për Demokraci, Anti-Korrupsion dhe Dinjitet “ Çohu”, thotë se nëse Ministria e Drejtësisë ka vullnet për këtë çështje, në rend të parë duhet të krijohet një ligj që lejon në mënyrë retroaktive të verifikohet pasuria e dyshuar.
“Nuk guxojmë të fillojmë nga momenti kur miratohet ligji, sepse hyjmë në një amnisti të përgjithshme për personat që kanë krijuar pasuri të paligjshme ndër vite”, thotë ai.
Kurse, Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, vlerëson se ndryshimi i kornizës ligjore nuk do ta ndryshojë realitetin në praktikë, duke marrë parasysh politizimin e sistemit të drejtësisë.
“Mungesa e vullnetit politik, mungesa e guximit të prokurorëve për ta zbatuar ligjin, ka ndikuar në mungesë të rezultateve. Pra, korniza ligjore nuk do të ndikojë aspak, nëse nuk ka vullnet në praktikë të Prokurorisë”, thotë ai. “Pas pasur një rishikim të drejtësisë penale, pa pasur një proces të verifikimit, vetting-ut të gjyqtarëve, prokurorëve duke pasur parasysh politizimin e sistemit të drejtësisë, konsiderojmë se Kosova nuk është e përgatitur dhe nuk i plotëson kushtet për të pasur një ligj të tillë”.
Megjithatë, Demhasaj shprehet pesimist se mund të ndodhë një gjë e tillë pasi, sipas tij, zyrtarëve të lartë shtetërorë nuk u konvenon miratimi i një ligji të tillë, meqë objekt i parë i hetimit do të duhej të ishte prejardhja e pasurisë se tyre e më pas konfiskimi.
Ndryshe, edhe pse në Kosovë nuk ekziston ligji “antimafia”, një Ligj për Zgjerimin e Kompetencave për Konfiskimin e Pasurisë së Fituar në Vepër Penale, sipas zyrtarëve të lartë qeveritarë, e kryen funksionin e njëjtë. Gjatë vitit të kaluar, sipas të dhënave zyrtare, vlera e sekuestrimit ka arritur deri në 70 milionë euro, kurse niveli i konfiskimit është më shumë se një milion e 100 mijë euro.