Edhe sot ka dështuar të votohet Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike.
Për këtë projektligj nuk pati kuorum në Kuvendin e Kosovës, pasi që për të votuan vetëm 60 deputetë, shkruan lajmi.net.
Votimi në dy lexime i këtij ligji do të siguronte edhe tërheqjen e 10 përqindëshit nga Trusti.
Bedri Hamza nga PDK shprehi gatishmërinë që Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike të harmonizohet bashkë me opozitën, ndërkaq që për 10 përqindëshin e Trustit të gjendet një zgjidhje tjetër.
Hamza propozoi që të futet një nen i veçantë në ligjin për të ardhurat personale, ku mundësohet tërheqja e këtyre mjeteve. Nëse një gjë e tillë do të ndodhte, Hamza tha se qeveria do ta kishte përkrahjen e PDK-së.
Ndërkaq, ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, tha se ky ligj nuk përfshinë vetëm tërheqjen e 10 përqindëshit nga Trusti dhe se ky nuk është qëllimi i vetëm.
Ajo tha se situata e imponon emergjencën e votimit të këtij projektligji.
Në mungesë kuorumi, ky ligj do të votohet në një nga seancat e radhës.