Jo vetëm tani kur me Italinë nënshkroi marrëveshje që refugjatët e saj të tepërt t’i shpërngulë në Lezhë, por prej moti, Kryeministri i sotëm i Shqipërisë është treguar burrështetas i ndjeshëm ndaj problemeve globale.
Dhe duke vepruar globalisht ai nuk ka mundur të vërejë se popullin e vet është duke e asgjësuar e varfëruar lokalisht.
Në të vërtetë, për vendin dhe popullin e vet ai ka bërë të mundurën, duke e promovuar Shqipërinë si vend ekzotik, e popullin shqiptar të përkushtuar të shkëputet nga e shkuara primitive, edhe atë duke u strehuar nëpër kulla po aq të larat sa ato të metropolave të botës dhe duke i rrënuar gjitha ngrehinat përtokëse që do ia rikujtonin si dhe kush ka qenë, si për shembull Teatrin Kombëtarë.
Si burrështetas i përmasave planetare, ai nuk harroi t’i tregojë botës se si duhej zgjidhur problemet e Ballkanit, ku sipas tij, nuk ishin pjesë e problemit burrështetasit serbë të dalë nga kapota e ‘Kasapit të Ballkanit’ – Millosheviqit, por kryeministri i Kosovës dhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, i dalë nga qelia e ‘Mendeles së Ballkanit’ – Adem Demaçit.
Ndërkohë ai bëri çmos që t’i bashkojë popujt e Ballkanin si dhe t’i mësojë ata të jetojnë në hapësirë pa kufij. Edhe atë ashtu siç i kishte vëllazëruar ata dikur Beogradi: duke i bërë pjesë të ‘Botës Serbe’, botë në të cilën nuk do kishte kufij që do e ndanin Serbinë nga të tjerët, por ku qartë do përkufizohej deri ku i takonte popullit serb dhe Kishës Ortodokse serbe.
Dhe vetëm një burrështetas të cilin e votonin shqiptarët, por të cilit ia shihnin hairin fqinjët dhe bota, mund të bënte flijimin e paparë: ta dëbonte popullin e vet nga Shqipëria, që të bënte vend në të për t’i strehuar të huajt.
Pra që varfanjakët e popullit të vet t’i zëvendësonte me mjeranët e ardhur nga larg, të cilët nëse do mbeteshin përgjithmonë në Shqipëri, nëse jo më shumë, do ishin aq mirënjohës sa në të ardhmen ta votonin vetëm ‘Piktorin’.
Kur jemi te mirënjohja duhet thënë se më mirënjohës se ne shqiptarët vështirë se mund të gjesh në këtë planetë.
Shkaku i kësaj mirënjohje të tepruar ne nuk protestojmë as kundër të huajve që e vrasin pafajësinë fëmijërore, as kundër burrështetasve tanë që e vrasin të ardhmen e fëmijëve shqiptarë.
Dhe ka rrezik që kjo mirënjohje e tepruar ose të na vret, ose të na shpërfaq të atillë siç i kemi drejtuesit e ‘Shqipërive’ tona: jargavitës ndaj të fortit e të pasurit, e mospërfillës dhe përbuzës ndaj të varfrit e të pambrojturit.
Nga: Kim Mehmeti