S’ka shtyrje të faljes së borxheve

Kanë mbetur edhe tri ditë deri në shfuqizimin e Ligjit për Faljen e Borxheve publike për personat fizik dhe juridik në Kosovë,dhe nuk do të ketë mundësi të shtyrjes se afatit, bëjnë të ditur zyrtarë qeveritar.

Për derisa zyrtarë të ndërmarrjeve publike, pohojnë se ditëve të fundit është shtuar numri i qytetarëve dhe bizneseve që po përmbushin obligimet e tyre ligjore për të përfituar nga falja e borxheve.

Për këtë arsye, disa kompani kanë zgjatur edhe orarin e punës.

Fatime Lumi, zyrtare në Zyrën për Komunikim Publik, në Ministrinë e Financave, për Radion Evropa e Lirë, kathënë se Ligji skadon me 2 shtator.

“Nuk ka fuqi juridike, as Qeveria, as Ministria e Financave që të shtyjnë afatin e këtij Ligji. Nëse Kuvendi vendos ndryshe, është çështje tjetër, por nuk besojmë se do të arrihet të merret vendim nga ana e Kuvendit të Kosovës për shtyrje të afatit të Ligjit për faljen e borxheve publike” thotë Lumi .

Rreth 520 mijë vlerësohet të jetë numri i qytetarëve të Kosovës që kanë borxh ndaj institucioneve shtetërore dhe ndërmarrjeve publike me një vlerë monetare rreth 680 milionë euro.

Kurse,sipas të dhënave të Ministrisë se Financave, shuma e falur deri më të tani arrin mbi 100 milion euro, edhe pse shumë kjo ndryshon për çdo ditë.

Vetëm në Korporatën Energjetike të Kosovës, nga falja e borxheve kanë përfituar mbi 100 mijë konsumatorë, qoftë më shlyerje automatike apo më ri-programim të borxhit.

Kështu kanë thënë për Radion Evropa e Lirë, zyrtarë të kësaj kompanie, sipas të cilëve, vlera totale e borxhit të falur është rreth 80 milion euro.

Kurse Kompania e Ujësjellësit Rajonal “ Prishtina” për shkak të fluksit të madh të konsumatorëve për ta shfrytëzuar të drejtën ligjore dhe të përfitojnë nga Ligji për Faljen e Borxheve ka zgjatur orarin e punës.

Arieta Mjeku, zëdhënëse në këtë kompani, për Radion Evropa e Lirë ka thënë se borxhi i përgjithshëm që konsumatorët kanë ndaj kompanisëqë nga pas lufta, është mbi 53 milion euro, ndërkaq shuma e borxhit që do të falet arrin mbi23 milion euro.

“Deri më sot,ne u kemi falur konsumatorëve rreth 8 milion euro, por kanë mbetur edhe një shumë e madhe për t’ufalur. Numri i atyre që borxhi nga 1 deri 100 euro, u është fshirë në mënyrë automatike është 30 mijë.

Ndërkaq, gjithsej konsumatorëve që iu është falur borxhi është rreth 49 mijë konsumatorë, nga gjithsejtë 78 mijë konsumatorë që duhet të vijnë. Pra kanë mbetur edhe 29 mijë konsumatorë”ka thënë Mjeku

Për numrin e përfituesve nga ky Ligj, më anë të një komunikate për media, ka treguar edhe Ngrohtorja e Qytetit ‘ Termokos”

Që nga shtatori i vitit të kaluar, e deri më tani janë lidhur kontrata më rreth tre mijë konsumatorë, ndërsa pitet të përgjigjen edhe të rreth 7 mijë konsumatorë të tjerë borxhlinj” thuhet në komunikatë

Në muajin shkurt të vitit të kaluar Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për faljen e borxheve, kurse në muajin shtator ishte miratuar Ligji për Faljen e Borxheve Publike.

Nga falja e borxheve publike për periudhën deri më 31 dhjetor 2008, sipas ligjit në fuqi përfitojnë të gjithë personat të cilët kanë obligime të pashlyera ndaj institucioneve shtetërore dhe ndërmarrjeve publike, me kusht që të njëjtit: të kryejnë pagesën e plotë të obligimeve për periudhën nga 1 janar 2009 deri me 31 dhjetor 2014.