Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka mbajtur një konferencë për media, ku ka folur për menaxhimin e situatës me pandeminë e COVID-19.
Ai tha se situata e COVID-19 është shumë e rëndë dhe serioze, mirëpo që sipas tij është nën kontroll, shkruan lajmi.net.Kjo për shkak se siç tha ai janë krijuar kapacitete të reja dhe është organizuar puna.
“Më lejoni që qysh në fillim të shpreh ngushëllime për të gjitha rastet me fatalitet. Bashkëndjejmë me ta, për humbjen e anëtarëve të familjeve të tyre në këtë situatë. Konstatimi jonë i përbashkët është që gjendja është mjaftë serioze por nën kontroll. Në Shërbimin Spitalor janë krijuar kapacitet me shtretër dhe është riorganizuar punë. Në IKSHPK është rritur kapaciteti i testimeve. Nga java e ardshme do të bëhen testime edhe në dy regjione të Kosovës. Nga fillimi janë testuar rreth 45 mijë qytetarë, ku rreth 38% kanë rezultuar pozitiv”, ka thënë Hoti.
Hoti bëri të ditur se masat të reja nuk do të ketë, mirëpo që do të mbesin në fuqi ato aktuale.Sidoqoftë, ai tha se do të ketë zbatim më rigoroz të të njëjtave.“Gjatë këtyre ditëve kur janë vendosur masat, është stabilizuar numri i rasteve të reja. Tanimë numri i rasti të konfirmuara është më i vogël se të shëruarit. Në bazë të vlerësimit të Institutit praktikisht ne kemi vendosur nën kontroll zgjerimin e pandemisë. Sygjerimi i tyre është që masat që janë në fuqi të mbahen, ndërkaq të vazhdohet me zbatim rigoroz të masave që janë ndërmarrë deri tani. Nesër do të kemi një takim me inspektoratet për zbatimin e këtyre masave”, tha ai