Skuadra e Sivassporit që është pjesë e Superligës së Turqisë është njëri prej kundërshtarëve te Ballkanit në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.
Suksesin më të madh në futbollin turk, Sivasspori e ka arritur sezonin e shkuar kur triumfoi në Kupën e Turqisë. Ky edhe është trofeu më i madh në histori të klubit.
Sivasspori një herë ka dalë nënkampion i Turqisë (2008/09), ndërsa këtë vit ka humbur në Superkupën e Turqisë.
Ka edhe dy tituj kampioni të kategorisë së dytë dhe ka garuar edhe në divizionin e tretë, ndërsa në Superligën e Turqisë është kthyer prej sezonit 2017/18.
Në sezonin 2020/21 është paraqitur në fazën e grupeve të Ligës së Evropës, por nuk ka avancuar tutje pasi ka përfunduar në pozitën e tretë.
Klubi është i themeluar në vitin 1967 kurse sezonin e shkuar ka përfunduar i dhjeti në elitën e futbollit turk.
Sivasspori në edicionin 2013/14 e ka pasur trajner brazilianin Roberto Carlos, ndërsa ka zhvilluar ndeshje miqësore kundër Prishtinës në stadiumin e kryeqytetit vite më parë. /koha