Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, tha se situata me zjarret është më e rënda në më shumë se tre dekada.
Më shumë se 3,000 hektarë pemishte janë djegur nga një zjarr që shpërtheu pranë qytetit të Patras, 200 kilometra në perëndim të Athinës, sipas Observatorit Kombëtar të Athinës.
Zjarret kanë përfshirë edhe rajone tjera të vendit.
“Ne po përballemi me valën më të keqe të nxehtësisë që nga viti 1987,” tha kryeministri, Kyriakos Mitsotakis, duke shtuar se autoritetet po bënin “gjithçka të mundshme” për të vënë nën kontroll situatën.
Zëvendësministri i Mbrojtjes Civile, Nikos Hardalias, tha se në korrik janë shënuar 1,584 vatra të zjarrit në të gjithë Greqinë krahasuar me 953 në vitin 2019.
Zyrtarët kanë evakuuar pesë fshatra dhe një qytet bregdetar dhe tetë persona janë shtruar në spital me djegie dhe probleme me frymëmarrjen.
Më shumë se 100 zjarrfikës, të ndihmuar nga 20 automjete, tre aeroplanë dhe gjashtë helikopterë, u dërguan në Rodos të hënën (2 gusht) në mëngjes, thanë zyrtarët.
Në ditët në vijim janë parashikuar temperatura midis 40 dhe 42 gradë Celsius.
Zjarret janë ndezur gjithashtu në të gjithë Turqinë, Spanjën dhe Italinë gjatë fundjavës. Ekspertët thonë se ndryshimi i klimës po rrit frekuencën dhe intensitetin e zjarreve të tilla. /rel