Situatë alarmante në Shëngjin, zjarret s’kanë të ndalur

Situata me zjarret në Shqipëri, është kthyer në shqetësuese, në disa zona gjendja paraqitet më alarmante.

Në Shëngjin, zjarret kanë nisur të shtunën pasdite, janë riaktivizuar mëngjesin e hënës dhe kanë përfshirë sipërfaqe më të mëdha.

Gjatë ditës së sotme, vatrat janë përhapur edhe më tej, të ndihmuara edhe nga era, ku është djegur edhe një beach bar.

Forcat zjarrëfikëse e kanë pasur të pamundur ndërhyrjen për shkak të terrenit të vështirë.

Ndaj paraditen e sotme ka nisur dhe ndërhyrja nga ajri.

Sipas të dhënave të fundit, flakët janë shumë pranë plazhit të Ranës së Hedhun. Situata me zjarret ka shkaktuar probleme edhe tek pushuesit.

Prefektura e Lezhës, ka bërë thirrje për evakuimin e banorëve në ato zona të rrezikuara.

Teksa theksuan nevojën për shtim të kapaciteteve pasi 1.300 zjarrfikës në gjithë vendin nuk e përballojnë situatën me ndezjen e zjarreve.

Gjirokastra gjithashtu ndodhet nën pushtetin e zjarreve, prej disa javësh. 180 forca zjarrfikëse, ushtria dhe vullnetarë, të cilët janë angazhuar për shuarjen e zjarrit në Malin e Gjerë.

Dyshohet që zjarret në pyje-kullota në Malin e Gjerë janë të qëllimshme ndërsa flakët janë djegur sipërfaqe të konsiderueshme.

Një vatër e madhe zjarri është shfaqur që një ditë më parë në malet e Zavalinës në Elbasan.

Vendosja e tij nën kontroll është e vështirë për shkak të terrenit të vështirë malor.

Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim një 28-vjeçar, i cili dyshohet se nga pakujdesia ka shkaktuar zjarr, nga përhapja e të cilit është djegur një sipërfaqe toke me shkurre në Zavalinë.

Në Korçë, prej 4 ditësh mjete dhe punonjës të shërbimit zjarrfikës të bashkisë së Maliqit punojnë për shuarjen e vatrave të shumta të zjarrit në pyjet e fshatit Bode në Lozhan.