Më shumë dhunë u raportua në kufirin polako-bjellorus dje, edhe pse palë të ndryshme në mosmarrëveshje kërkuan qetësi ose kërkuan të sillnin ndihmë për emigrantët e bllokuar në tokën e askujt.
”Një grup prej qindra migrantësh u përpoqën të kalonin kufirin të premten vonë, të armatosur me gaz lotsjellës nga Bjellorusia, të cilin e përdorën kundër forcave polake”, shkruan zyrtarët polakë të sigurisë në Twitter.
”Ushtarët bjellorusë dëmtuan gjithashtu barrierën e përkohshme të kufirit dhe verbuan zyrtarët polakë me rreze lazer”, sipas tuitit.
Gazeta opozitare bjelloruse ”Nexta” publikoi video në Telegram që tregonin forcat bjelloruse të sigurisë që gjuanin në ajër për të frikësuar migrantët, përfshirë fëmijë.
Duke qenë se gazetarëve të pavarur iu mohohet qasja në zonën kufitare, është e pamundur të verifikohet një informacion i tillë.
Gjithashtu të shtunën, policia polake zbuloi një tjetër emigrant të vdekur në zonën kufitare të vendit me Bjellorusinë.
”Ai u identifikua si një shtetas sirian 20-vjeçar’, tha një zëdhënës i policisë për agjencinë polake të lajmeve PAP.
Trupi u zbulua nga një pylltar afër fshatit Wolka Terechowska.
Presidenti i Bjellorusisë, Aleksander Lukashenko, i quajtur shpesh diktatori i fundit i Evropës, akuzohet se ka lejuar njerëzit nga zonat e krizës të fluturojnë drejt Bjellorusisë, në mënyrë që më pas t’i devijojë ata drejt vendeve të BE-së në kufirin e tij.
Ai dyshohet se e ka bërë këtë për të ndëshkuar vendet e BE-së për sanksionet e vendosura pas akuzave se ai rregulloi zgjedhjet e vitit të kaluar për të siguruar një mandat të ri në detyrë.
Lukashenko i mohon të gjitha akuzat.
Megjithatë, vendet në kufirin me Bjellorusinë nuk po i lejojnë emigrantët të hyjnë dhe autoritetet bjelloruse nuk do t’i lënë ata të kthehen, që do të thotë se mijëra njerëz janë bllokuar në tokën e askujt përgjatë kufijve të Bjellorusisë ndërsa kushtet e motit të dimrit po përkeqësohen.
Tani po ngrihen tenda ushqimore për të ndihmuar migrantët.
”I destinuar për të gjithë, Lukashenko urdhëroi që fëmijëve t’u jepet përparësia kryesore”, njoftoi agjencia e lajmeve Belta.
Sipas raporteve bjelloruse, disa dhjetëra njerëz u mblodhën në kalimin e bllokuar në Kuznica, Poloni, dhe filluan të bërtasin “Gjermani, Gjermani”, që është qëllimi i shumë njerëzve të bllokuar tani në kufi.
Ndërsa kriza në kufirin polako-bjellorus nuk tregon asnjë shenjë zbutjeje, presidenti rus Vladimir Putin bëri thirrje për dialog të drejtpërdrejtë midis Bjellorusisë dhe Gjermanisë për të zgjidhur konfliktin.
“Kam kuptuar nga bisedat me Lukashenkon dhe kancelaren Merkel se ata janë të gatshëm të bisedojnë me njëri-tjetrin”, tha Putin në një intervistë të transmetuar në televizionin kombëtar rus.
Putin dhe Merkel kanë biseduar disa herë në telefon për të diskutuar situatën në kufirin e Bjellorusisë, që është edhe kufiri i jashtëm i BE-së.
Merkel i kishte kërkuar liderit rus që të ndërhynte në konflikt.
Kremlini më vonë njoftoi se Moska po kërkonte një zgjidhje.
Putin tha se shpresonte që Lukashenko të mos ndërpriste dërgesat e gazit nga Rusia në Evropë, nëpërmjet Bjellorusisë, siç kishte kërcënuar të bënte disa ditë më parë.
“Ai as që e përmendi këtë. Por, ai mund ta bëjë këtë. Por, nuk do të ketë asnjë të mirë, dhe sigurisht që unë flas me të për këtë çështje”, deklaroi Putin.
Putin gjithashtu theksoi se linjat ajrore ruse nuk ishin të përfshira në transportin e migrantëve në Bjellorusi.
Më herët, SHBA tha se kishTE kontaktuar gjithashtu Rusinë për situatën e rëndë në kufirin polako-bjellorus.
“Unë mendoj se është një shqetësim i madh”, tha presidenti amerikan Joe Biden të premten.
“Ne ia kemi komunikuar shqetësimin tonë Rusisë dhe Bjellorusisë”, u tha Biden gazetarëve në kopshtin e Shtëpisë së Bardhë.
Moska është mbështetësi kryesor i liderit bjellorus, Aleksandër Lukashenko. /atsh