Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Sirianët në Kabun luftojnë për të rindërtuar jetën e tyre mes shkatërrimit...

Sirianët në Kabun luftojnë për të rindërtuar jetën e tyre mes shkatërrimit masiv

Në lagjen Kabun të kryeqytetit sirian Damask, banorët po luftojnë për të rindërtuar jetën e tyre pas shkatërrimit masiv të shkaktuar nga regjimi i Bashar Asadit, raporton Anadolu.

Plagët më të dukshme të luftës civile 13-vjeçare gjenden në lagjen Kabun të kryeqytetit sirian, ku banorët e kësaj zone luftuan për liri kundër regjimit të Asadit.

Lagjia Kabun, që ndodhet rreth 6 kilometra nga Damasku qendror, dikur kishte Pazarin e Rrobaqepësve, në një kohë të shkuar i lulëzuar me një popullsi prej afër 100 mijë banorësh.

Sot, pjesa më e madhe e Kabunit është kthyer në gërmadha, me mbetjet e shtypjes së regjimit Baath të dukshme nën rrënojat e lagjes. Madje, thanë banorët, disa mbetje janë kthyer në varreza masive.

Në lagjen Tishreen aty pranë, të kthyerit po jetojnë pa shërbime të energjisë elektrike apo ujit të pijshëm, në ndërtesa të prishura me shenja të dukshme të bombave, plumbave apo flakëve të zjarrit.

Mbetje të bombave të përdorura nga Asadi dhe aleatët e tij ka edhe në çatitë e pak shtëpive të mbetura në këmbë. Mes shkatërrimit, fëmijët që luajnë simbolizojnë shpresën për një të ardhme më të mirë.

– Familja al-Merri vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpinë e fundit të mbetur në lagje

Familja al-Merri, respektivisht babai, djali dhe nipi, vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpinë e fundit të mbetur në lagjen Kabun.

Samir al-Merri, 58-vjeçar, ka jetuar në Kabun që nga vitet 1980. Para luftës, lagjia ishte shtëpi e njerëzve nga e gjithë Siria, Iraku dhe Jemeni, me një Pazar të frekuentuar rrobaqepësish.

“Pazari i Rrobaqepësve ka qenë i frekuentuar. Tani nuk ka mbetur asgjë. Është shkatërruar plotësisht”, theksoi Samiri.

Ai ndau dhimbjen e humbjes së djalit të tij në vitin 2012, i cili u arrestua nga regjimi.

“Kam qëndruar këtu nën bombardime deri në vitin 2015, me shpresën për ta gjetur (djalin). Pashë rreth 300 trupa në rrugë, të ekzektuar me të shtëna në kokë. Në fund e humba shpresën. Kishim katër shtëpi, por tani ka mbetur vetëm një”, tha ai.

Samiri mori konfirmimin se djali i tij, Farisi, ndërroi jetë në vitin 2016 në burgun Sednaya, i njohur gjithashtu si “thertore njerëzore”.

– “Ndihesha si kriminel në vendim tim”

Djali tjetër i Samirit, Ahmedi 40-vjeçar, iku nga bombardimet në vitin 2016 dhe u kthye në Kabun në vitin 2021. Para revolucionit, ata i shmangeshin politikës, por pas kryengritjes, Ahmedi e kuptoi shtypjen nën të cilën kishin jetuar.

“Ne jetonim në një fermë. Burrat e regjimit kontrollonin gjithçka, shtëpinë tonë, makinën, pronën, të gjitha u përkisnin atyre”, tha Ahmedi.

Ahmedi, i cili shmangu shërbimin ushtarak, shpjegoi se pas kthimit në Siri, ushtria u përpoq ta detyrojë atë për të shërbyer në ushtri.

“Unë jam 40-vjeç tani. Çfarë mund të bëj në ushtri… kam pesë fëmijë. Kush do të kujdeset për ta? Kundër kujt do të luftoja? Sirianët më pëlqejnë mua. Gjithmonë jam ndjerë si kriminel në vendin tim. Vrapoja vazhdimisht, duke paguar ryshfet në çdo pikë kontrolli. Ata kërcënuan se do të më dërgojnë në Sednaya. Më plaçkitën shtëpinë. Jam i lumtur që regjimi ka rënë. Jam i lumtur për fëmijët e mi. Tani mund të udhëtoj lirshëm pa pika kontrolli apo pyetje”, u shpreh Ahmedi.

– “Regjimi ma vodhi fëmijërinë”

22-vjeçari Mohammed, anëtari më i ri i familjes al-Merri, tha se fëmijëria e tij kaloi me “bombardime, bomba dhe shpërthime”.

“Regjimi më vodhi fëmijërinë, rininë, jetën time. Nuk më ka mbetur asgjë. Në moshën 22-vjeçare po e filloj jetën time nga e para”, u shpreh ai.

Mohammed më tej theksoi se ishte një “dezertor i fshehur në shtëpi”.

“Ata u përpoqën të më detyrojnë në ushtri pa asnjë arsye”, tha ai.

Exit mobile version