Një ndërprerje e energjisë elektrike në mbarë Sirinë në mbrëmje ka zhytur gjithë vendin në errësirë për shkak të një mos funksionimi teknik, me përpjekjet për zgjidhjen e krizës që vazhdojnë, transmeton Anadolu.
Agjencia shtetërore siriane e lajmeve SANA citoi drejtorin e përgjithshëm të Kompanisë së Transmetimit dhe Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, Khaled Abu Day, duke konfirmuar “ndërprerjen e përgjithshme të energjisë” në të gjithë Sirinë.
Abu Day për ndërprerjen fajësoi “një defekt teknik në sistemin elektrik”.
Ai theksoi se ekuipazhet po punojnë urgjentisht për të riparuar defektin dhe për të rivendosur energjinë sa më parë, edhe pse ai nuk ofroi detaje të mëtejshme mbi shkakun ose kohën e pritshme të riparimit.
Infrastruktura elektrike e Sirisë është përballur me sfida të rënda, veçanërisht që nga fillimi i luftës civile 13-vjeçare në vitin 2011, e cila shkatërroi sistemin e energjisë.
Në mars të vitit 2025, Katari nisi një iniciativë për të ofruar gaz natyror në Siri nëpërmjet Jordanisë, duke synuar prodhimin e 400 megavat të energjisë elektrike për çdo ditë në termocentralin Deir Ali në jug të Damaskut.
Bashar al-Assad, udhëheqësi i Sirisë për gati 25 vjet, u arratis në Rusi më 8 dhjetor, duke i dhënë fund regjimit të Partisë Baath, i cili kishte qenë në pushtet që nga viti 1963.
Ahmed al-Sharaa, i cili udhëhoqi forcat kundër regjimit për të rrëzuar Assadin, u shpall president për një periudhë kalimtare më 29 janar.