Siria do të mbajë konferencë për unitetin kombëtar dhe të ardhmen pas regjimit të Asadit

Administrata e re në Siri pritet të mbajë “Konferencën e Dialogut Kombëtar” këtë muaj për të diskutuar të ardhmen e vendit me të gjitha segmentet e shoqërisë, raporton Anadolu.

Sipas burimeve të qeverisë së përkohshme, konferenca pritet të përfshijë mbi 1.000 përfaqësues, duke përfshirë të rinjtë sirianë, gratë, liderët fetarë dhe shoqërinë civile, të cilët do të diskutojnë të ardhmen e vendit pas rënies së regjimit të Bashar Asadit, si dhe statusin e parlamentit dhe kushtetutës.

Javën e kaluar, Ahmed Sharaa, udhëheqësi i administratës së re të Sirisë, tha se Konferenca e Dialogut Kombëtar do të ofrojë një mundësi për të gjitha segmentet e shoqërisë për të marrë pjesë.

Ai theksoi se në konferencë, pjesëmarrësit do të votojnë për vendimet për çështje kritike dhe të ndjeshme gjatë periudhës së tranzicionit.

Bashar Asadi, lideri i Sirisë për gati 25 vjet, u arratis në Rusi pasi grupet kundër regjimit morën kontrollin e Damaskut më 8 dhjetor, duke i dhënë fund regjimit të Partisë Baath, që kishte qenë në pushtet që nga viti 1963.

Kjo erdhi pasi luftëtarët e Hayat Tahrir al-Sham çliruan qytetet kryesore në një ofensivë të shpejtë që zgjati më pak se dy javë.

Përgjegjësinë për udhëheqje e përkohshme e ka marrë një administratë e re e udhëhequr nga Sharaa.