Bëhet e ditur se opozitarët sirianë kanë zbrapsur forcat e regjimit të Asadit pas luftimeve të ashpra në qendër të qytetit sirian Dera që ndodhet në kufi me Jordaninë, raporton Anadolu Agency (AA).
Muhammed Jusuf, njëri nga komandantët e Frontit të Jugut të forcave opozitare, në një deklaratë për AA theksoi se regjimi i Asadit nga pjesa veriore e Deras ka ndërmarrë sulm me artileri dhe predha në drejtim të lagjeve Menshija dhe Dera el-Beled që gjenden nën kontrollin e opozitarëve në jug të qytetit. Jusuf njoftoi se si pasojë e sulmit jetën e kanë humbur tre civilë në lagjen Menshija, ndërsa shumë civilë të tjerë janë plagosur.
Ndërkaq, Jusuf u shpreh se mes forcave opozitare dhe forcave të Asadit kanë shpërthyer luftime të ashpra pasi këta të fundit kanë tentuar të avancojnë nga pjesa veriore drejt lagjes Menshija. Sipas tij, opozitarët kanë zbrapsur sulmet e forcave të regjimit.
Pas zbrapsjes së sulmeve të forcave të regjimit, siç theksoi Jusuf, opozitarët kanë kaluar në kundërofensivë ndaj forcave të regjimit në pjesën veriore të lagjes Menshija.
Jusuf më tej theksoi se në zonën ku kanë vazhduar konfliktet janë vrarë dhjetëra ushtarë të regjimit, ndërsa janë shkatërruar tre tanke dhe një tunel furnizimi që i përkisnin regjimit.
Sulm me tank dhe artileri në qytezën Jedudije
Në ndërkohë, forcat e regjimit kanë bombarduar me tanke dhe artileri qytezën Jedudije, në veriperëndim të Deras.
Nga ana tjetër, gjatë luftimeve që kanë shpërthyer në qytetitn Busra esh-Sham në lindje të Deras, jetën e ka humbur aktivisti i mediave Basil ed-Drubi.
Ndryshe, në pjesën më jugore të vendit, qyteti Dera që gjendet në kufi me Jordaninë kishte përjetuar periudhën më të dhunshme të luftës civile gjatë luftimeve të ashpra që kishin shpërthyer në pikën kufitare Nasib në vitin 2015.
Në përgjithësi, qyteti gjendet nën kontrollin e Frontit të Jugut, i cili është formuar me bashkimin e afërsisht 50 grupeve që veprojnë nën Ushtrinë e Lirë Siriane (ULS).
Dera njihet se qyteti ku filloi revolucioni në Siri. Protestat që filluan pasi regjimi i Asadit vrau me torturë 13-vjeçarin Hamza el-Hatib, u shpërndanë në tërë vendin.
Para luftës civile, në qytet jetonin afërsisht një milionë sirianë, ndërkohë që pas fillimit të luftës, 250 mijë persona u shpërndanë në rajone të ndryshme të vendit.