Vazhdojnë vdekjet për shkak të urisë dhe barnave të pamjatueshme në Gutën Lindore, afër Damaskut të Sirisë. Viktimat e fundit të rrethimit janë një i ri dhe një foshnjë 14 muajshe, raporton Anadolu Agency (AA).
Rreth 400 mijë civilë të rajonit të Gutës Lindore, e cila po mbahen nën bllokadën e regjimit të Asadit për më shumë se 5 vite, përpiqen që të mbijetojnë në varfëri, uri dhe kushte të vështira jetësore.
Sipas informacioneve të marra nga gazetari i AA-së në Gutën Lindore nga Qendra shëndetësore në qarkun Duma, foshnja 14 muajshe Mutasim Arbash dje në orët e mbrëmjes ka humbur jetën për shkak të mungesës së ushqimit dhe të trajtimit shëndetësor.
Në anën tjetër në orët e mëngjesit, një i ri i quajtur Usame Tejsir Hassu nga qarku Hammurije ka humbur jetën për shkaqe të njëjta.
Për shkak të bllokadës së shtrënguar për shtatë muaj nga ana e regjimit, u ndal hyrja e produkteve themelore për ushqim dhe të barnave të cilat dërgoheshin në rajon nëpërmjet rrugëve ilegale.
Sipas të dhënave të kuvendeve lokale civile, më shumë se 1.000 fëmijë të Gutës Lindore ballafaqohen me rrezikun e vdekjes për shkak të mungesës së ushqimit dhe të barnave.
Këshilltari i përfaqësuesit special të Kombeve të Bashkuara (OKB) për Sirinë Staffan de Mistura, Jan Egeland dje në një deklaratë tha se nuk kanë qasje në Gutën Lindore dhe se qindra të sëmurë kanë nevojë për evakuim emergjent mjekësor.