Një zyrtar i Mbrojtjes Civile Siriane në periferi të Damaskut hodhi pretendimin se regjimi i Esadit ka sulmuar përsëri me gaz toksik, përmbajtja e të cilit ende nuk dihet, lokalitetin Ayn Tarma, pjesë e “zonave pa konflikt” të Gutës Lindore.
Omar Abu Ubaidah, zëdhënës i Helmetave të Bardha në Ayn Tarma, deklaroi se forcat e regjimit sirian kanë sulmuar me gaz toksik vijën e frontit të opozitarëve në Ayn Tarma.
“Gazi është përhapur me shpejtësi në këtë zonë duke prekur 4 opozitarë, që janë dërguar për kurim në spitalin fushor më të afërt”, theksoi Abu Ubaidah.
Zona e Gutës Lindore, ku bëjnë pjesë edhe lagje periferike të Damaskut si Ayn Tarma, Zamalka dhe Jobar, është tashmë prej 5 vitesh nën rrethimin e forcave besnike të Esadit.
Regjimi synon të shkëpusë lagjen Jobar, e cila ka formën e një gadishulli në juglindje të Gutës Lindore, nga periferitë jugperëndimore të Ayn Tarmas dhe Zamalkas, për të përqendruar rrethimin vetëm mbi këtë pjesë.
Në këtë mënyrë do të shtrëngohet edhe rrethimi i Gutës Lindore, ku forcat e regjimit po ndërmarrin sulme intensive prej gati 3 muajsh.