Sipas Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC), zyrtarisht ka filluar evakuimi i rasteve emergjente mjekësore nga qarku i Gutës Lindore, që ndodhet nën rrethim nga regjimi sirian, në periferi të Damaskut, raporton Anadolu Agency (AA).
Përmes rrjeteve sociale, ICRC mbrëmë vonë bëri të ditur se personeli i saj, së bashku me ato të Gjysmëhënës së Kuqe Arabe-Siriane (SARC), kanë “filluar evakuimin e rasteve kritike mjekësore nga Guta Lindore në Damaskun qendror”.
Zyrtarët e regjimit sirian, nga ana e tyre, ende nuk kanë komentuar mbi procesin e evakuimit të sapofilluar.
Qindra banorë të Gutës Lindore, që kanë mbetur nën rrethimin e regjimit për pesë vitet e fundit, kanë nevojë urgjente për kujdes mjekësor.
Shumë prej foshnjave dhe fëmijëve të vegjël të këtij qarku kohët e fundit kanë vdekur për shkak të kequshqyerjes, urisë dhe mungesës së ilaçeve.
Gjatë tetë muajve të fundit, regjimi i Bashar al-Assad-it ka zgjeruar rrethimin e tij në Gurën Lindore, duke e bërë pothuajse të pamundur sjelljen e ushqimeve ose ilaçeve brenda qarkut dhe duke lënë qindra pacientë në nevojë për trajtim mjekësor.
“Numri i njerëzve që presin evakuimin për shkak të ilaçeve dhe furnizimeve mjekësore adekuate, tani ka tejkaluar 600”, tha për Fayez Arabi për AA, zëdhënës i Drejtorisë Shëndetësore të Damaskut Rural.
Ky numër, tha Arabi, ka gjasa të rritet në të ardhmen e afërt, si rezultat i drejtpërdrejt i rrethimit të regjimit sirian. Siç theksoi ai, shumica e atyre që presin evakuimin nga qarku kërkojnë trajtim të kancerit ose operacione emergjente.
“Tridhjetë pacientë me kancer deri më tani kanë vdekur për shkak të mungesës së qasjes në trajtim. Trembëdhjetë të tjerë kanë vdekur si pasojë e mungesës së ilaçeve”, njoftoi Arabi.
Foshnjat dhe fëmijët e vegjël janë prekur në mënyrë të veçantë nga rrethimi i regjimit sirian.
Sipas të dhënave të spitalit special të Damaskut Rural, që nga viti 2014 në Gutën Lindore kanë vdekur jo më pak se 527 foshnja. Nga këto, 227 vdiqën brenda 10 muajve të parë të këtij viti për shkak të kequshqyerjes dhe mungesës së qasjes në mjekim.
Shtëpia e rreth 400 mijë banorëve civilë, Guta Lindore, ende është nën rrethim nga regjimi i Assad-it që nga fundi i vitit 2012.
Veçanërisht, qarku është pjesë e zonave të deeskalimit, të miratuara nga Turqia, Rusia dhe Irani, në të cilat veprimet e agresionit janë shprehimisht të ndaluara.
Siria sapo ka filluar të dalë nga një luftë shkatërruese qytetare që filloi në fillim të vitit 2011, kur regjimi i Assad-it u përplas me protestat pro-demokratike me një trazirë të papritur.