Të paktën 12 civilë humbën jetën dhe 30 të tjerë u plagosën në sulmin e avionëve luftarakë rusë ndaj rajoneve Darat Izza dhe Atarib në perëndim të qytetit Halep në veri të Sirisë, raporton Anadolu.
Sipas informacionit të marrë nga Observatori i avionëve që i përket opozitarëve, avionët luftarakë rusë u ngritën nga baza Hmeimim në qytetin Latakia dhe kryen sulme ajrore ndaj vendbanimeve civile në Darat Izza dhe Atarib.
Gjithashtu, sipas informacioneve të marra nga burimet e Mbrojtjes Civile (Helmetat e Bardha), si pasojë e sulmeve në Darat Izza kanë humbur jetën 4 civilë dhe nga sulmet në Atarib 8 civilë, ndërkohë që janë plagosur të paktën 30 të tjerë, mes të cilëve shtatë fëmijë.
Të plagosurit janë dërguar në spitalet përreth.
Në Halep dhe Idlib prej dy ditësh po ndodhin përleshje mes regjimit të Bashar al-Asadit dhe Hayat Tahrir Sham (HTS), grupit të armatosur kundër regjimit.
Grupet kundër regjimit, gjatë përleshjeve morën në kontroll gjithsej 39 fshatra të cilat ndodheshin nën kontrollin e regjimit të Asadit.