Të paktën 44 të vdekur dhe 100 të plagosur është bilanci i atentatit të dyfishtë në zonën e vjetër të Damaskut.
Lajmin e bën të ditur Observatori sirian për të drejtat e njeriut, i cituar nga edicioni online i Al Jazira.
Sipas Observatorit, me bazë në Britaninë e Madhe, një bombë shpërtheu gjatë kalimit të një autobusi dhe më pas një atentator vetëvrasës u hodh në erë.
Ministri i Brendshëm sirian, Mohammed Al Shaar ka konfirmuar bilancin e të vdekurve, por për të plagosurit ka saktësuar se bëhet fjalë për 120.
Një armëpushim mbarëkombëtar i ndërmjetësuar nga Rusia, Turqia dhe Irani hyri në fuqi më 30 dhjetor, por sulmet sporadike vazhdojnë.
Dy raunde të tjera bisedimesh mes përfaqësuesve të qeverisë dhe opozitës pritet të mbahen javën e ardhshme.
Damasku ndodhet kryesisht nën kontrollin e trupave të presidentit Bashar al Assad, por grupet rebele janë të pranishme në të gjitha rrethinat.