Përreth qendrës së qytetit Hama në Siri po ndodhin konflikte të ashpra mes forcave të regjimit të Bashar al-Asadit dhe grupeve të armatosura kundër regjimit që duan të hyjnë në lagjet periferike, transmeton Anadolu
Grupet kundër regjimit të udhëhequra nga Hayat Tahrir al-Sham (HTS), të cilat po përleshen me forcat e regjimit të Asadit që nga 27 nëntori, po përparojnë në drejtim të qytetit Hama.
Konfliktet janë intensifikuar përreth qendrës së qytetit Hama dhe grupet kundër regjimit po përpiqen të hyjnë në lagjet Al-Mazarib dhe Al-Erbain në lindje të qytetit.
Ndërkohë, edhe avionët luftarak rusë që ofrojnë mbështetje për regjimin, kanë kryer sulme ajrore në rajonet në fjalë.
– Zhvillimet në Siri
Më 27 nëntor, shpërthyen përleshje midis forcave të regjimit të Asadit dhe grupeve të armatosura kundër regjimit në zonën rurale perëndimore të provincës Alepo në Sirinë veriore.
Grupet e armatosura kundër regjimit, të cilat më 28 nëntor përparuan me shpejtësi drejt Alepos, morën nën kontroll pjesën më të madhe të qendrës më 30 nëntor.
Pasi morën kontrollin e qytezës Khan Shaykhun më 30 nëntor, grupet e armatosura morën kontrollin në gjithë Idlibin, ndërsa vazhdojnë avancimin e tyre duke u përleshur në qytetin Hama.
Në operacionin “Agimi i Lirisë” që Ushtria Kombëtare Siriane nisi kundër organizatës terroriste PKK/YPG më 1 dhjetor në periferi të Alepos, u çlirua qendra e qytezës Tel Rifat.