Rrjeti Sirian i të Drejtave të Njeriut (SNHR) njoftoi se fati i 99.479 personave të ndaluar në Sirinë e përfshirë nga lufta civile mbetet i panjohur, transmeton Anadolu Agency (AA).
Me rastin e 30 Gushtit, Ditës Botërore të të Zhdukurve, SNHR, i cili dokumenton shkeljet ndaj civilëve në Siri, publikoi një raport mbi personat e rrëmbyer ose të ndaluar në Siri që nga marsi i vitit 2011.
Sipas raportit, fati i 99.479 personave të rrëmbyer ose ndaluar nga palët ndërluftuese në Siri midis marsit të vitit 2011 dhe gushtit të vitit 2020 mbetet i panjohur.
Prej tyre, 84.371 janë persona që janë ndaluar nga forcat e regjimit të Bashar al-Asadit gjatë periudhës në fjalë.
Nga ana tjetër, sipas burimeve të opozitës, të paktën 500 mijë njerëz me pikëpamje opozitare mbahen të pafajshëm në burgjet e regjimit të Asadit.
Në raport thuhet se 8.648 persona janë zhdukur me forcë nga organizata terroriste DAESH, 2.056 persona nga organizata terroriste YPG/PKK, e cila përdor emrin SDF, ndërsa e 2.007 janë zhdukur me forcë nga grupi i armatosur kundër regjimit Hayat Tahrir al-Sham.
Ndërkaq, 2.397 njerëz janë zhdukur me forcë nga grupe të ndryshme të opozitës ushtarake, ndërsa edhe fati i këtyre personave mbetet i panjohur.