Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Siri, grupet e armatosura kundër regjimit marrin nën kontroll qytetin Saraqib, hynë...

Siri, grupet e armatosura kundër regjimit marrin nën kontroll qytetin Saraqib, hynë në qendër të Halepit

Grupet e armatosura që kundërshtojnë regjimin sirian të Bashar al-Assad-it kanë depërtuar në qendër të Halepit, një nga dy qytetet më të mëdha të Sirisë, raporton Anadolu.

Sipas burime lokale, grupet e armatosura kundër regjimit, të cilat kishin përparuar drejt Halepit nga perëndimi pas përleshjes me forcat e regjimit për tre ditë, depërtuan në linjat e mbrojtjes në akset Hamdaniyya, Halep i Ri dhe Zahra në periferinë perëndimore të Halepos dhe hynë në qendër të qytetit.

Pas tre ditë luftimesh në provincat Halep dhe Idlib, grupet opozitare thuhet se kanë marrë kontrollin e mbi një territor prej 550 kilometrash katrorë.

Pas luftimeve gjatë natës, forcat e opozitës përparuan në periferi të qytetit, duke marrë nën kontroll 70 vendbanime dhe vendndodhje strategjike.

Rreth 10 mijë civilë që ikën nga luftimet kanë kërkuar strehim në pjesën rurale të Idlibit, në veriperëndim të Sirisë.

– Nën kontrollin opozitar edhe qyteti i rëndësishëm Saraqib

Opozita e armatosur dhe grupet kundër regjimit në Siri kanë hyrë në qytetin Saraqib që ka rëndësi strategjike, njoftuan burimet lokale.

Gjatë dy ditëve të përleshjeve në qytetin që ndodhet në lindje të Idlibit, forcat e regjimit pësuan humbje të mëdha dhe u tërhoqën nga Saraqibi. Qyteti është tani nën kontrollin e grupeve të armatosura kundër regjimit.

Saraqib ka rëndësi strategjike pasi është i vendosur në kryqëzimin e autostradës M4, e cila lidh kryeqytetin Damaskun me Halepin, si dhe autostradën M5, e cila lidh Latakinë me Halepin.

– Luftimet përhapen në periferi të Halepi

Përleshjet po intensifikohen në periferi të Halepit, duke bërë që forca të shumta besnike të regjimit të ikin nga Halepi në Damask.

Grupet e armatosura pushtuan Qendrën e Kërkimeve Shkencore të vendosur në një nga lagjet e jashtme të Halepit.

Ky objekt ishte përdorur për qëllime ushtarake nga regjimi dhe thuhet se prodhonte bomba me fuçi dhe bateri artilerie.

Grupet opozitare gjithashtu morën nën kontroll zonën Anadan, një nga vendbanimet më të mëdha në periferi të Halepit.

Avionët luftarakë rusë kryen një sulm ajror të premten herët në një seli të opozitës në qytetin verior të Sirisë, Mare. Mësohet se sulmi ka shkaktuar dëme materiale, por nuk ka viktima.

Regjimi i Asadit shënjestroi zonat civile me armatim tokë-tokë gjatë përleshjeve të vazhdueshme.

– Kapen dhjetëra ushtarë të regjimit

Grupet e armatosura kundër regjimit kanë sekuestruar armë të rënda, depo ushtarake dhe automjete nga forcat e regjimit në zonat që ata pushtuan.

Në luftime u vranë shumë ushtarë të regjimit dhe dhjetëra u zunë robër.

– 4 studentë të vrarë në sulmin e regjimit sirian në një konvikt në Halep

Raportohet se katër studentë u vranë dhe dy të tjerë u plagosën në një sulm me raketa nga forcat e regjimit sirian në një konvikt studentor të Universitetit të Halepit.

Burimet lokale raportuan se sulmi kishte në shënjestër konviktin mes përleshjeve të vazhdueshme midis forcave të regjimit dhe grupeve të opozitës në periferi të Halepit.

Regjimi ende nuk ka dhënë një deklaratë për sulmin.

Siria është përfshirë në një luftë të egër civile që nga fillimi i vitit 2011, kur regjimi sirian i Assad-it shtypi protestat pro-demokracike me egërsi të papritur.

Sulmet e ditëve të fundit janë disa nga luftimet më të ashpra në vitet e fundit të këtij konflikti.

Exit mobile version