Siri, është dokumentuar vrasja e rreth 25 mijë grave

Rrjeti Sirian për të Drejtat e Njeriut (SNHR) ka njoftuar se ka dokumentuar vdekjen e 24 mijë e 746 grave në Siri, që nga muaji mars i vitit 2011 e deri në nëntor të vitit 2017, transmeton Anadolu Agency (AA).

SNHR publikoi të dhënat në lidhje me gratë të cilat kanë humbur jetën gjatë përleshjeve dhe luftës së brendshme në Siri e cila është në vitin e 7-të. Numri i grave të cilat kanë humbur jetën në luftën e brendshme dhe është bërë dokumentimi i tyre është 24 mijë 746, ndërsa në këtë numër janë përfshirë vetëm ato të identifikuara.

Në raportin e SNHR, është theksuar se 20 mijë e 919 gra kanë humbur jetën nga sulmet e regjimit të Bashar al-Asadit. Në sulmet ajrore ruse, që kanë intervenuar në Siri në shtator të vitit 2015 për të mbështetur regjimin, kanë humbur jetën 988 gra.

Në këtë raport gjithashtu është theksuar se në sulmet e organizatës terroriste DEASH dhe minave kanë humbur jetën 573 gra, ndërsa në sulmet e rastësishme të organizatës terroriste PKK/PYD janë dokumentuar vetëm vdekjet e 136 grave.

Në sulmet ajrore të forcave të koalicionit ndërkombëtar kundër DEASH që intervenuan në Siri pas muajit shtator të vitit 2014 kanë humbur jetën 611 gra.

Në raport më tej është theksuar se në përleshjet mes opozitarëve ushtarakë dhe regjimit kanë humbur jetën 963 gra, ndërsa në krimet e bëra nga palët e panjohura në vend është dokumentuar vrasja e 566 grave.

Vdekjet nga tortura

“Kemi dokumentuar vdekjen e 57 grave për shkak të palëve në konflikt nga muaji mars i vitit 2011 deri në muajin nëntor i vitit 2017” është theksuar në raportin e SNHR.

Sipas raportit forcat e regjimit kanë vrarë 41 gra me torturë, ndërsa DEASH 13, PKK/PYD 2, opozitarët ushtarakë 1.

Arrestimet

Të paktën 8 mijë e 289 arrestime të grave që janë arrestuar nga grupet në konflikt në Siri janë dokumentuar nga SNHR. Sipas kësaj, forcat e regjimit kanë arrestuar 6 mijë 736, opozitarët ushtarkë dhe grupet kundër regjimit 959, PKK/PYD 257, ndërsa DEASH 337.

Në raport është theksuar që forcat e regjimit dhe mbështetësit e tij duhet t’i japin fund krimeve të kryera kundrejt grave. Gjithashtu, thuhet se Kombet e Bashkuara duhet të veprojnë për mbrojtjen e grave në Siri nga përleshjet.