Grupet që rrëzuan regjimin e partisë Baath në Siri asgjësuan një sasi të madhe droge të ruajtur në kompleksin e inteligjencës së regjimit në lagjen Kafr Sousa në Damask, raporton Anadolu.
Pas përmbysjes së regjimit të Bashar al-Asadit më 8 dhjetor, në vend po dalin në dritë qendrat dhe magazinat e prodhimit të drogës.
Grupet që rrëzuan regjimin, në kuadër të aktiviteteve të tyre të kërkimit dhe kontrollit në Damask, zbuluan një sasi të madhe droge të paketuara gati për dërgesë në kompleksin e inteligjencës të regjimit të rrëzuar në lagjen Kafr Sousa.
Thasë dhe pako të mbushura me pilula droge sintetike dhe marijuanë u grumbulluan në oborrin e njësisë së sigurisë numër 227. Grupet fillimisht regjistruan drogën që kishin sekuestruar dhe më pas e asgjësuan atë duke e djegur.
Ishte zbuluar se vila, që u identifikua se i përkiste Mahir Asadit, vëllait të Bashar al-Asadit liderit të regjimit të rrëzuar, në qytezën Dimas në perëndim të Damaskut, përdorej si qendër e prodhimit të drogës.
– Regjimi i rrëzuar fitoi miliarda dollarë nga tregtia e drogës, një nga burimet më të mëdha të të ardhurave të tij
Regjimi i rrëzuar fitoi miliarda dollarë nga tregtia e drogës e cila ishte një nga burimet më të mëdha të të ardhurave të tij.
Rrjeti i prodhimit dhe kontrabandës së drogës në krye të së cilës ishte Mahir Asad, vëllai i liderit të rrëzuar të regjimit Bashar al-Asad, i dërgonte substancat e prodhuara në Siri në vendet e rajonit dhe në botë, kryesisht nëpërmjet Libanit.
Në raportin e Zyrës së OKB-së për Drogën dhe Krimin thuhet se zonat kryesore të daljes së dërgesave të drogës ishin Siria dhe Libani dhe se këto dërgesa arrinin në vendet arabe të Gjirit ose drejtpërdrejt nga toka, deti ose në mënyrë indirekte përmes rajoneve të tjera.