Armëpushimi i ri në nivel vendi në Siri, i ndërmjetësuar nga Rusia dhe Turqia, duket se në masë të madhe po respektohet, sot herët në mëngjes, përkundër raporteve për përleshje të izoluara, tha Observatori sirian për të drejtat e njeriut me seli në Londër, që i ka vëzhguesit në terren në Siri, informon REL.
Ky armëpushim ka hyrë në fuqi mbrëmë në mesnatë dhe është ndalja e parë e luftës në gjithë vendin, prej se në muajin shtator një armëpushim njëjavor u shkatërrua pas disa incidenteve me dhunë. Shefi i observatorit, Abdel Rahman, i tha agjencisë AFP se “disa grupe të vogla kryengritëse dhe lojalistët e armatosur, po synojnë shkatërrimin e marrëveshjes, pasi ajo e përfundon praninë e tyre”.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, që është aleati kryesor i presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, dje ka shpallur se qeveria e Sirisë dhe kundërshtarët e saj e kanë nënshkruar marrëveshjen për armëpushim në gjithë vendin.