Sira e Profetit (a.s) program jete

Shumë muslimanë e lexojnë jetën e të dashurit tonë, të dërguarit të Zotit (a.s), sikur të jetë një rrëfim i bukur dhe prekës. Shumë libra janë shkruar për këtë temë; disa të gjatë, disa të shkurtër. Disa kanë mbledhur gjithçka që është transmetuar pa shqyrtim apo hulumtim, ndërsa të tjerë kanë bërë kërkime dhe analizë.
Megjithatë a është e tillë jeta e të Dërguarit (a.s) e Allahu thotë: “Ju e keni shembullin më të mirë në të dërguarin e Allahut, për atë që shpreson në Allahun dhe Ditën e Fundit dhe që e përmend shpesh Allahun.”[1] Ai gjithashtu thotë: Thuaj: Nëse e doni Allahun, më ndiqni mua që Allahu t’ju dojë dhe t’ju falë gjynahet. Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.”[2]
Domethënia e njohjes së jetës së tij
Askush që ka mend nuk dyshon se nuk mund të ndjekësh dikë pa njohur detajet e jetës së tij dhe mënyrën se si ky udhëheqës ose drejtues përballet me ngjarjet përreth tij. Sa më shumë që të njohim detaje rreth jetës së tij, aq më pranë tij ne do të jemi dhe nuk do të hezitojmë për ta pasuar atë. E çfarë mund të themi ne,  kur ky drejtues është prijësi i të gjithë të dërguarve dhe i dërguari i Zotit të gjithësisë?!

Rëndësia e njohjes me detaje të jetës së tij
Për më tepër, njohja e hollësishme e jetës dhe personalitetit të tij e bën njeriun të besojë më shumë tek ai. Sa më shumë që një musliman të njohë cilësitë e tij të përsosura, aq më shumë do ta ndjekë atë. Kjo njohje krijon një energji pozitive të madhe që e nxit atë të shpejtojë në bindjen dhe zbatimin e urdhrave të tij, pavarësisht nga sakrificat e mëdha që mund të kërkohen.

Kur muslimani njihet me detajet e jetës së tij do të mësojë se jeta e Profetit (a.s) është një program për jetën, prej saj mësojmë si të edukojmë veten dhe të tjerët, si të mësojmë dhe të japim mësim, si të jetojmë dhe si të vdesim me lejen e Allahut të Madhërishëm.

Jeta e Profetit (a.s) na mëson si dhe kur të luftojmë me fjalë apo me forcë, si dhe kur të pranojmë apo të zemërohemi,

Jeta e Profetit (a.s) na mëson gjithçka që na nevojitet për jetën tonë, si të ringjallim umetin tonë dhe si të ecim përpara pavarësisht pengesave dhe sfidave që na rrethojnë.

Nga qëndrimet e Profetit (a.s)  mësojmë si të menaxhojmë marrëdhëniet ndërkombëtare dhe politikën në përputhje me sheriatin.

Gjithashtu, nga jeta e Profetit (a.s) ne mësojmë shumë edhe prej qëndrimeve të shokëve të tij të nderuar:

Nga Ebu Bekri (r.a) mësojmë besimin dhe nënshtrimin ndaj të Dërguarit (a.s).

Nga Omeri (r.a) mësojmë guximin për të thënë të vërtetën pa frikë dhe drejtësinë ndaj të dobëtit para të fuqishmit.

Nga Othmani (r.a)  mësojmë bujarinë dhe sakrificën në rrugën e Allahut.

Nga Aliu (r.a)  mësojmë trimërinë, përkushtimin dhe vetëflijimin.

Nga Hubejbi (r.a) mësojmë se besimi është më i fuqishëm se çdo dhimbje, edhe nëse përballemi me vuajtje të mëdha.

Nga Halid ibn Uelidi (r.a) mësojmë mjeshtërinë në strategjitë dhe taktikat ushtarake, që ende studiohen sot.

Kështu pra jeta e të Dërguarit të Allahut (a.s) dhe ajo e shokëve të tij është mbushur plot e përplot me mësime, të cilat nëse i praktikojmë në jetën e përditshme  do të jetojmë një jetë të nderuar, plot dinjitet dhe do të jemi më pranë Allahut dhe të Dërguarit të Tij.

Ne nuk duhet të harrojmë se jeta e Profetit (a.s) ishte një zbatim praktik i ajeteve të Kuranit. Kushdo që e kupton atë dhe vepron sipas saj, duke e përshtatur me realitetin që jeton, do të bëhet një “Kuran i gjallë në tokë”, duke krijuar një brez të ngjashëm me atë të sahabëve (shokëve të Profetit), Allahu qoftë i kënaqur me ta!

[1] – Sure Ahzab: 21.

[2] – Sure Ali Imran: 31.