Sipas Ramadanit, Kosova është e përgatitur të përballet me valën e dytë të COVID-19

Naser Ramadani, drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë, ka thënë se Kosova është e përgatitur që të përballet me valën e re të pandemisë së koronavirusit.

“Si shtet jemi të përgatitur edhe për valën e dytë apo të tretë të COVID-19. Jemi të përgatitur në të gjitha aspektet menaxheriale, organizative, vendimmarrëse, politike, zbatuese, ekzekutive e legjislative që t’i dalim përballë valës së re eventuale që pritet të jetë në të gjithë botën prej tetorit e tutje”, ka thënë ai, pas vizitës në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë.

Ai ka thënë se në dy javët e fundit ka rënie të lehtë të rasteve të reja. Ka shtuar se kjo mund të shihet si rënie premtuese nëse vazhdohet me respektim të masave.

Sipas tij, po që se qytetarët vazhdojnë t’u përmbahen rekomandimeve të distancës, maskës dhe higjienës, “do të jemi në rrugë shumë të mbarë të zvogëlojmë pandeminë”.

Ramadani ka thënë se Kosova ka paraparë skenarët se si mund të ketë përzierje të viruseve në muajt e ardhshëm.

Ai ka thënë se do të ketë vaksinim për gripin sezonal fillimisht te popullata e ndjeshme. Sipas Ramadanit, Kosova është në listën e vendeve prioritet për vaksinim sapo të dalë edhe vaksina kundër COVID-19.

Deri tash në Kosovë janë regjistruar 13454 raste pozitive me COVID-19. Prej tyre 525 kanë vdekur, ndërsa 9595 janë shëruar.