Sionistët fetarë në ushtri dhe qeveri e shohin masakrën në Gaza si “luftë të shenjtë”

Në një artikull në gazetën izraelite “Jerusalem Post”, thuhet se sionistët fetarë të cilët përbëjnë 14 për qind të shoqërisë por ndikimi i të cilëve sa vjen e rritet në ushtri dhe qeveri, i shohin si “luftë të shenjtë” masakrat në Gaza në të cilën janë vrarë mijëra fëmijë dhe gra, transmeton Anadolu.

Në shkrimin e gazetës me titull “Përse disa sionistë fetarë e shohin Gazën si një luftë të shenjtë?” thuhet se sionistët fetarë në Izrael përbëjnë 14 për qind të popullatës së vendit dhe se ky segment beson në “drejtimin nga hebrenjtë të rajonit nga lumi Jordan deri në Mesdhe”.

Në artikull theksohet se sionistët fetarë kanë rritur shumë ndikimin e tyre në ushtri, qeveri dhe shoqëri gjatë viteve të fundit dhe se ideologjia e tyre ekstremiste është pjesë e formësimit të sulmeve ndaj Gazës.

Shumica e sionistëve fetarë përqafojnë pikëpamje të ekstremit të djathtë dhe kundërshtojnë procesin e armëpushimit me Hamasin dhe lirimin e pengjeve, thuhet në shkrimin ku bëhet e ditur se ata kanë penguar shumë herë ndihmat humanitare që janë tentuar të dërgohen në Gaza.

Më tej në artikull theksohet se sionistët fetarë e shohin sulmin e 7 tetorit si “provë e pretendimit të tyre se nuk mund të bëhet paqe me palestinezët” dhe se pushtimin e tyre të Gazës e shohin si “detyrim fetar”.

Kjo ide e sionistëve fetarë, të cilët mbrojnë largimin e 2.3 milionë palestinezëve që jetojnë në Gaza, është pranuar edhe nga disa politikanë të ekstremit të djathtë, potencohet në artikullin thuhet se sipas ish-kryepsikologut izraelit të ushtrisë, Reuven Gal shumë nga ushtarët i shohin si “një luftë të shenjtë, jo një operacion ushtarak” sulmet në të cilat janë vrarë më shumë se 30 mijë palestinezë.

Në artikull, theksohet që pavarësisht se qendra politike e Izraelit është zhvendosur ndjeshëm në të djathtë, sionistët fetarë kanë pikëpamje që kundërshtojnë rrjedhën kryesore të shoqërisë. Por, sipas një sondazhi të zhvilluar në janar nga televizioni izraelit “Channel 12”, mbështetja për ndërtimin e vendbanimeve ilegale hebreje në Gaza është 38 për qind.

Gjithashtu në artikull vihet në dukje se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka bërë marrëveshje me shumë parti sioniste fetare për të formuar një qeveri. Më tej thuhet se e ardhmja politike e kryeministrit varet nga këto parti.