Sinirlioğlu: Turqia nuk dëshiron luftë, por nëse siguria e saj kërcënohet do të përdorë forcën

Përfaqësuesi i Përhershëm i Turqisë në OKB, Feridun Sinirlioğlu tha se “Turqia nuk dëshiron luftë, por nëse siguria e saj kërcënohet nuk do të ngurrojë të përdorë forcën”, raporton Anadolu Agency (AA).

Me kërkesë të SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Belgjikës, Estonisë dhe Republikës Domenikane, Këshilli i Sigurimit të OKB-së zhvilloi një takim emergjent për të diskutuar lidhur me tensionet në rritje në Idlib.

Sinirlioğlu në fjalimin e tij tha se në pamjet e radarit është vërejtur se avionët e regjimit dhe Rusisë kanë kryer “fluturim në formacion” gjatë kryerjes së sulmeve ajrore ku humbën jetën 33 ushtarë turq.

– “Forcat turke u vendosën në objektiv me qëllim”

Sinirlioğlu tha se “Forcat turke në atë rajon ishin vetëm dhe se ato u vendosën në objektiv me qëllim”.

“Sulmet ajrore vazhduan edhe pse më parë ishte bërë koordinimi me shkrim me forcat ruse lidhur me vendndodhjen e autokolonës turke, edhe pse pas sulmit të parë u bënë paralajmërime të menjëhershme”, tha Sinirlioğlu, duke shtuar se në objektiv janë vendosur edhe ambulancat që u dërguan për ushtarët e plagosur.

Ai theksoi se Turqia vazhdon dialogun me Rusinë ku dhe një delegacion rus ndodhej në Ankara ditën që është kryer sulmi i poshtër. “Palës ruse i kemi përcjellë se nuk do t’i braktisim pikat tona të vëzhgimit dhe se do të vazhdojmë përforcimet tona ushtarake”, tha Sinirlioğlu.

– “Ushtarët tanë sakrifikuan jetën e tyre për të shpëtuar civilët”

“Të gjithë duhet të kuptojnë në mënyrë të qartë se ushtarët tanë sakrifikuan jetën e tyre për të shpëtuar jetët e civilëve në Idlib. Prania e Turqisë në Idlib, është garancia e vetme për vazhdimin e ndihmave humanitare. Regjimi dhe mbështetësit e tij duan ta tërheqin Turqinë në një luftë të pistë. Turqia nuk dëshiron luftë, por nëse siguria e saj kërcënohet nuk do të ngurrojë të përdorë forcën. Sigurisht që do t‘i përgjigjet pa asnjë dyshim çdo provokimi ose ngacmimi”, tha Sinirlioğlu.

Ai thotë se Turqia ka treguar vetëpërmbajtje maksimale për t’u distancuar nga një konflikt i drejtpërdrejt ushtarak. “Kjo është një luftë mes të drejtës dhe të gabuarës dhe Turqia të gjitha këto përpjekje i merr përsipër në emër të komunitetit ndërkombëtar për të mbrojtur miliona civilë, shumica e të cilëve janë gra dhe fëmijë”, tha Sinirlioğlu duke shtuar më tej:

“Ju të gjithë na falënderoni për përpjekjet tona të pashterrshme, por nga ju nuk është mirënjohja që duam. Nga ju ne duam të ndani këtë përgjegjësi. Fati i miliona civilëve është përgjegjësia jonë e përbashkët. Ka ardhur koha që ky këshill t’i thotë mjaft dhe t‘u japë fund krimeve të luftës dhe sjelljes së pamatur të regjimit që kërcënon drejtpërdrejt paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”.