Sindikata e Pavarur e RTK-së, me anë të një letre publike drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës, është shprehur e shqetësuar për “mosgatishmërinë e Kuvendit të Kosovës për ta penguar falimentimin e transmetuesit të vetëm publik në vend RTK-së”.
Ata kanë përmendur disa parregullsi që sipas tyre po ndodhin në televizionin publik.
Për më shumë, lexoni letrën më poshtë.
Sindikata e Pavarur e RTK-së është e shqetësuar me mosgatishmërinë e Kuvendit të Kosovës për ta penguar falimentimin e transmetuesit të vetëm publik në vend RTK-së.
Derisa RTK po përballet me dhjetëra padi në gjykata për mospagesë të borxheve milionëshe, Menaxhmenti i saj po vazhdon me punësime të reja dhe me lidhje të kontratave me produksione të pavarura, duke rrezikuar kështu pagat e të punësuarve dhe funksionimin e mëtutjeshëm të RTK-së.
Me gjithë vështirësitë e mëdha financiare, hapësirën më të ndjeshme programore në RTK po e mbulojnë programet e blera nga produksionet e jashtme.
Në RTK shpenzohen qindra mijëra euro qira në vit për shfrytëzimin e pajisjeve teknike të kompanive të jashtme dhe nuk shfrytëzohen resurset e brendshme teknike.
RTK është përballur me mospagesë të tatimit në pronë, faturave të ujit e mbeturinave, me mosregjistrim të veturave etj. duke u bërë kështu vetë shkelës i ligjit, megjithëse për mision ka promovimin e ligjshmërisë.
Edhe pse Kuvendi i Kosovës për katër vjet rresht nuk e ka miratuar raportin vjetor të punës të RTK-së, për çudi askush deri më tani nuk ka dhënë përgjegjësi për pasojat e keqmenaxhimit.
Kuvendi i Kosovës asnjëherë nuk ka kërkuar llogaridhënie nga Bordi i RTK-së me gjithë raportet negative, të Auditorit të Pavarur dhe atij Gjeneral.
Për gjendjen e rëndë në RTK, tash së fundmi ka reagime edhe nga vetë disa anëtarë të Bordit të RTK-së.
Në një letër drejtuar punëtorëve të RTK-së, anëtari i Bordi, Naim Gashi, ndër të tjera deklaron: “Gjatë kësaj kohe të shkurtër që jam me Ju, kam vërejtur parregullsi të mëdha, sidomos financiare, keqmenaxhim të buxhetit, punësime pa kurrfarë kriteri, shkaktim të qëllimshëm të borxheve, shkelje të ligjeve dhe akteve nënligjore, raportim të rrejshëm në Bord dhe Kuvend, prokurime pa kriter dhe njëburimore, shkaktim të rrezikut nga paditë e jashtme, nepotizëm, gradime pa kriter…. gjithçka kam parë dhe për të gjitha jam distancuar dhe i kam kundërshtuar. Unë e kam kundërshtuar arrogancën dhe talljen e vazhdueshme që menaxhmenti ka ndaj Bordit, si institucioni më i lartë vendimmarrës në transmetuesin publik”.
Gjithashtu një anëtar tjetër i Bordit, Hisen Berisha, ka publikuar një dokument prej 26 faqesh me parregullsi të shumta financiare e ligjore në RTK.
“Une Hisen Berisha, anëtar i Bordit te Radio Televizionit te Kosoves (RTK) deklaroj si me poshte:
1.Me pergjegjesine time te plote e informoje Bordin e RTK-se se raporti I shpenzimeve janar shtator 2015, permban shkelje te renda ligjore, me elemente te mjaftueshme te nje vepre penale, prandaj kerkoj qe si i tille te mos miratohet ne Bord, por te dergohen verejtjet ne Kuvend dhe ne organet kompetente te hetuesise” .
Të nderuar deputetë,
Në RTK që nga paslufta janë investuar rreth 200 milionë euro, kryesisht para të qytetarëve të Kosovës. Është e papranueshme që ky investim kaq i vlefshëm financiar, shpeshherë jashtë mundësive buxhetore të vendit tonë, të lejohet të degradohet nga disa persona.
Është e pakuptimtë që edhe më tutje të vazhdohet të mos pengohet degradimi i punës dhe i mundit të të punësuarve të RTK-se të cilët për më shumë se 15 vjet dhanë shumë nga vetja e tyre për RTK Transmetues Publik.
Degradimi i RTK-së do të thotë mosmirënjohje për donatorët dhe miqtë ndërkombëtarë të cilët në vazhdimësi e kanë ndihmuar RTK-në.
Degradimi është mesazh i keq për ata të cilët planifikojnë që në të ardhmen ta ndihmojnë dhe përkrahin RTK-në.
RTK ka nevojë urgjente që të merret në përkujdesje nga themeluesi i saj – Kuvendi i Kosovës.
Në RTK duhet sa më parë të konstatohet dëmi dhe humbjet reale që janë shkaktuar tash e sa kohë.
SPRTK apelon te Kuvendi i Kosovës që ta caktojë pronën e RTK-së dhe të ndajë fonde të mjaftueshme në mënyrë që RTK ta ketë objektin e vet.
Për tash e 17 vjet, asnjëri nga pushtetet legjislative nuk është në gjendje ta zgjidhë çështjen e pronës dhe të objektit për transmetuesin e vetëm publik në vend.