Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Sindikata e gazetarëve holandezë: Iz’raeli të mos bllokojë hyrjen e gazetarëve në...

Sindikata e gazetarëve holandezë: Iz’raeli të mos bllokojë hyrjen e gazetarëve në Ga’za

Një sindikatë gazetarësh holandezë ka kërkuar nga Izraeli që të mos bllokojë hyrjen e gazetarëve në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.

Shoqata Holandeze e Kryeredaktorëve i bëri thirrje kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, që të lejojë mediat ndërkombëtare të hyjnë në Gaza.

Në një letër drejtuar qeverisë izraelite, sindikata e gazetarëve tha se bllokimi i hyrjes së gazetarëve në rajon cenon lirinë e shtypit, e cila është thelbësore për raportimin e saktë.

“Edhe pse ka kaluar pothuajse një vit që nga fillimi i luftës, qeveria izraelite ende po bllokon gazetarët ndërkombëtarë që të hyjnë në Gaza për të raportuar në mënyrë të pavarur”, theksoi Shoqata Holandeze e Kryeredaktorëve.

Më tej, në reagimin e shoqatës theksohet se gazetarët në Gaza punojnë në kushte shumë të vështira që rrezikojnë jetën e tyre.

“Ne i bëjmë thirrje qeverisë izraelite që të vazhdojë angazhimin e saj për lirinë e shtypit duke lejuar qasje të pavarur në Gaza për mediat ndërkombëtare dhe duke përmbushur detyrimet e saj për të mbrojtur gazetarët”, thuhet në reagim.

Izraeli vazhdon me ofensivën brutale në Gaza pas sulmit ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas tetorin e kaluar, pavarësisht rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm.

Që atëherë, sipas autoriteteve lokale shëndetësore, të paktën 41.500 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë që atëherë dhe më shumë se 96 mijë janë plagosur.

Sulmi izraelit ka zhvendosur pothuajse të gjithë popullsinë e territorit palestinez mes një bllokade të vazhdueshme që ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli për veprimet e tij në Gaza përballet me akuza për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Exit mobile version