Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Siljanovska-Davkova reagon ndaj komenteve të politikanit bullgar për aneksimin e Maqedonisë së...

Siljanovska-Davkova reagon ndaj komenteve të politikanit bullgar për aneksimin e Maqedonisë së Veriut

Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovksa-Davkova

Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovksa-Davkova, ka reaguar pas komenteve të kryetarit të partisë bullgare të ekstremit të djathtë “Rilindja”, Kostadin Kostadinov, për aneksimin e Maqedonisë së Veriut, transmeton Anadolu.

E ftuar në një kanal televiziv, Siljanovksa-Davkova e quajti “të pahijshëm” propozimin e politikanit në Bullgari.

“Ky është një propozim i pahijshëm. Synimi nuk është i ndershëm, qëllimi nuk është për hir të respektit. Përkundrazi, synimi për ta shprehur këtë në mënyrë të njëanshme në fakt do të thotë mosrespektim, do të thotë mosnjohje”, tha presidentja.

“Është një propozim i pahijshëm sepse ka pasur momente në histori që kanë qenë në qarkullim propozime të tilla dhe sigurisht që nuk janë mirëpritur. Për të propozuar federata ballkanike dhe modele të ngjashme, duhet të kultivoni dhe demonstroni respekt për fqinjët tuaj, respekt elementar”, shtoi ajo.

“Do të thotë të pranosh tjetrin, të pranosh veçantinë e tyre, t’i trajtosh si të barabartë. Në fund të fundit, ky është thelbi i Traktatit të BE-së, i Traktatit të Lisbonës… Në preambulën e Traktatit për miqësi dhe fqinjësi të mirë ndërmjet Maqedonisë dhe Bullgarisë thuhet se Bullgaria, si anëtare e Bashkimit Evropian, do ta ndihmojë Maqedoninë në rrugën e saj drejt BE-së”, deklaroi Siljanovska-Davkova.

Ndryshe, Kostadinov i bëri thirrje sot qeverisë në Sofje që të shpallë zyrtarisht pretendimet për aneksimin e Maqedonisë së Veriut dhe rajonit ukrainas të Besarabisë Jugore.

Në një postim në median sociale, Kostadinov ka shprehur mbështetje për deklaratat e presidentit të sapozgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, për marrjen e kontrollit mbi Kanadanë, dhe ka theksuar se Bullgaria duhet të dalë publikisht me një kërkesë për aneksimin e Maqedonisë së Veriut dhe Besarabisë Jugore.

Partia “Rilindja” është partia e tretë më e madhe në parlamentin e Bullgarisë.

Ndaj komenteve të Kostadinovit më herët reagoi edhe Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut, e cila dënoi deklaratën dhe i bëri thirrje Sofjes zyrtare që t’i denoncojë “këto fjalë”, të cilat, sipas saj, janë kundër parimeve të bashkëpunimit rajonal.

“Komentet e tilla minojnë sovranitetin dhe marrëdhëniet tona të fqinjësisë së mirë”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë.

Exit mobile version