Sigal Prishtina nuk po njeh kundërshtarë, vjen edhe fitorja e tretë rresht në FIBA Europe Cup

Sigal Prishtina ka shënuar edhe fitoren e tretë në kuadër të FIBA Europe Cup.

Prishtinasit kanë qenë mysafirë të skuadrës ukrainase të Khimikut, megjithëse, ndeshja u zhvillua në Pallatin Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.

Bardhekaltërit kanë triumfuar kundër skuadrës ukrainase me rezultat 78-59, ku dominuan gjatë gjithë ndeshjes së sotme.

Në çerekun e parë kampionët tanë treguan se edhe në ndeshjen e dytë do të triumfojnë pasi që e përmbyllën me 12 pikë epërsi, 26:14.

Dardan Berisha në aksion kundër Khimikut
Periudha e dytë ishte më e barazuar pasi që “Plisat” shënuan vetëm 15 pikë ndërsa pranuan një më shumë dhe kështu pjesa e parë përfundoi me rezultat 40:31.

Edhe në njëzet minutshin e dytë prishtinasit ishin më të mirë se kundërshtarët e tyre dhe kështu triumfuan edhe në takimin e dytë ndaj bardhegjelbërve.

Periudhën e tretë, të besuarit e trajnerit Ahmet Kandemir kanë arritur epërsinë më të thellë prej 16 pikëve në saje të rezultatit 60:44.

Në dhjetë minutshin e tretë si duket kundërshtarët u dorëzuan krejtësisht pasi që Sigal Prishtina triumfoi me rezultat prej 78:59.

Adrien Arians duke u munduar të realizon pikë, Lis Shoshi mundohet ta bllokon
Basketbollisti më efikas te vendasit ishte Adrien Arians me 12 pikë ndërsa te mysafirët u veçua me lojë të bukur Andrew Lawrence me 15 pikë.

Kujtojmë se te dyja takimet u zhvilluan në kryeqytetin e Kosovës, pas një marrëveshje në mes të dy klubeve, meqenëse Ukraina nuk i njeh pasaportat e shtetit tonë.

Në ndeshjen e radhës kundërshtar i Sigalit do të jetë skuadra turke e Demir Insaat Buyukcekmece, e cila renditet në vendin e dytë.

Pas kësaj, Prishtina ka bilanc prej tre fitoreve nga po aq ndeshje ndërsa ukrainasit kanë tre humbje dhe asnjë fitore në grupin G.