Ballina Sport Futboll Si vazhdon gara e Kosovës në Ligën e Kombeve, cilët janë kundërshtarët...

Si vazhdon gara e Kosovës në Ligën e Kombeve, cilët janë kundërshtarët e mundshëm?

Me ndeshjet e së martës mbrëma ka përfunduar vetëm faza e ligës, përkatësisht faza grupore, e edicionit të katërt të Ligës së Kombeve të UEFA-s. Prej këtij edicioni është përfshirë edhe plejofi për promovim dhe mbetje në nivel të njëjtë. Pjesë e plejofit thuajse sigurt do të jetë edhe Kosova, ndonëse UEFA ende nuk e ka regjistruar ndeshjen e ndërprerë me Rumaninë.

Sipas shumë raportimeve, ndeshja mund të regjistrohet 3:0 në të mirë të Rumanisë. Është përmendur edhe regjistrimi i ndeshjes 0:0, sa ishte rezultati në momentin e ndërprerjes, në kohën shtesë. Edhe nëse ndeshja regjistrohet 3:0 në të mirë të Kosovës, Rumania do të jetë e para në Grupin C2 dhe do të avancojë në Ligën B për edicionin e ardhshëm. Ndërkohë Kosova do të përfundojë e dyta në grupin e Ligës C dhe do të paraqitet në plejofin për promovim në Ligën B.

Në këtë plejof paraqiten katër përfaqësuese që ishin në vendin e tretë në grupet e Ligës B dhe katër përfaqësuese që u renditën në pozitën e dytë në grupet e Ligës C. Do të përballen përfaqësueset e Ligës B me ato të Ligës C, ndërsa përfaqësueset e Ligës B do të jenë vendëse në ndeshjen e dytë. Ndeshjet do të zhvillohen më 20 dhe 23 mars të vitit të ardhshëm.

Sllovenia, Gjeorgjia, Islanda dhe Irlanda janë kundërshtarët e mundshëm të Kosovës në plejof. Sllovenia i mblodhi tetë pikë në grupin B3 ku ishin edhe Norvegjia, Austria dhe Kazakistani. Gjeorgjia mblodhi shtatë pikë, sa edhe Shqipëria, në grupin B1, ku e para u rendit Çekia dhe e dyta ishte Ukraina. Shqipëria ka rënë në Ligën C.

Islanda, po ashtu, i kishte shtatë pikë në Ligën B4, ku garoi me Uellsin, Turqinë e Malin e Zi. Irlanda mori gjashtë pikë ndaj Finlandës në grupin B2, derisa i humbi ndeshjet me Anglinë dhe Greqinë.

UEFA ende nuk i ka zyrtarizuar kombinimet që lidhen me grupin C2, pasi nuk ka regjistruar ndeshjen e ndërprerë. Nga ky grup tashmë është zyrtare që Qiproja mbetet në Ligën C, ndërsa Lituania bie në Ligën D.

Në çerekfinale të Ligës së Kombeve janë kualifikuar Kroacia, Danimarka, Franca, Gjermania, Italia, Holanda, Portugalia dhe Spanja. Në Ligën A prej Ligës B janë promovuar Çekia, Anglia, Norvegjia e Uellsi. Prej Ligës A në Ligën B kanë rënë Bosnjë-Hercegovina, Izraeli, Polonia e Zvicra.

Shorti për tri plejofet e Ligës së Kombeve dhe për çerekfinale të Ligës A do të zhvillohet të premten nga ora 12:00 në Nyon të Zvicrës.

Synim i Kosovës është fitimi i grupit dhe promovimi direkt në Ligën B. Por humbja e shtatorit, 3:0 në Prishtinë nga Rumania, bëri që synimi i madh për këtë kampanjë të mos realizohet.

Exit mobile version