Britaniku që qëndronte pas grupit sirian të mbrojtjes civile, Helmetat e Bardha, u gjend në qendër të një beteje për të kontrolluar rrëfimin e luftës Siriane. Propaganduesit rusë dhe sirianë akuzonin ekipet e tij për falsifikimin e provave të mizorive – dhe arritën të bindin disa në Perëndim. Beteja për të vërtetën formoi një sfond për vdekjen e papritur të Xhejms le Mezhure (James Le Mesurier) në Stamboll në nëntor 2019. Më 11 nëntor 2019 rreth orës 05:00, një besimtar musliman duke shkuar për namaz të sabahut zbuloi trupin e thërrmuar të Le Mezhures të shtrirë në kalldrëm në një rrugicë të ngushtë në Stamboll. Ai me sa duket kishte rënë nga banesa mbi zyrën e tij, tre kate lart. Ndërsa lajmi për vdekjen e 48-vjeçarit shpërtheu në të gjithë botën, shumë njerëz – përfshirë shumë miq dhe bashkëpunëtorë – supozuan se ai ishte vrarë.
Helmetat e Bardha ishin një ferrë në sy të qeverive Siriane dhe Ruse, duke dhënë dëshmi për bombardimet dhe vrasjet e të pafajshmëve dhe postimin e videove në internet. Gruaja e Mezhures, Ema Uinberg (Emma Winberg), thotë se propagandat e shumta e vunë atë nën një stres të madh. Ajo beson se ka të ngjarë që ai gjithashtu vuante nga trauma pas viteve të shumta të shikimit të pamjeve shqetësuese të shpëtimeve nga Helmetat e Bardha. Shumica e atyre që ata tërhoqën nga rrënojat ishin tashmë të vdekur, duke përfshirë një numër i madh të fëmijëve.
Le Mezhure ishte një ish-oficer i ushtrisë britanike. Ai ishte themeluesi i grupit jo-fitimprurës Mayday Rescue, i cili, sipas faqes së tij të internetit, “ndërton kapacitetin e reagimit emergjent në komunitetet në rrezik konflikti dhe katastrofe natyrore”. Grupi filloi operacionet në 2014 dhe hapi zyrën e tij në Stamboll në 2015 për të mbështetur projektin e tij më të spikatur të shpëtimit, Helmetat e Bardha Siriane. Le Mezhure ka marrë çmime personale në Mbretërinë e Bashkuar për punën e tij me Helmetat e Bardha, një ish-kandidat për Çmimin Nobel për Paqe dhe fitues i Çmimit Alternativ Nobel për Paqen. Përveç projektit të tij në Siri, Mayday Rescue gjithashtu organizoi ekipe reagimi ndaj emergjencave në Somali dhe Liban.
Le Mezhure ishte njëri i gjithanshëm, ushtar, udhëtar, baba, burrë, dhe njëri humanitar. Dhe ashtu si populli i Sirisë ai ishte viktimë e dezinformimit. /Mesazhi.com/BBC