Jacob Wallis nga Instituti Australian për Politika Strategjike, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se ka të dhëna që shtetet po shfrytëzojnë grupe me pagesë nëpër rrjetet sociale – që kryesisht përhapin dezinformata – me qëllim të shtrirjes së ndikimit.
Wallis, udhëheqës i programit për operacione të informimit dhe dezinformimit në Kanberra, ka përmendur se Kosova, bashkë me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, kanë qenë të përfshira në përhapjen e dezinformatave në zgjedhjet federale të mbajtura më 2019 në Australi.
Ai thotë se një nga arsyet pse aktivitete të tilla zhvillohen në vendet si Kosova është motivi financiar dhe pak mundësi për personat e përfshirë në këto aktivitete, që të merren me diçka më të madhe.
Për këtë arsye, ai beson se qeveritë duhet të punojnë me këto grupe, për t’i nxitur ato që kapacitetet t’i drejtojnë në diçka më kreative.
Sipas tij, qeveritë duhet të bashkëpunojnë, dhe jo të armiqësohen me platformat e rrjeteve sociale, sepse siç thekson ai, nga një ambient i tillë bashkëpunimi përfitojnë shoqëritë.
Radio Evropa e Lirë: Në raportin e fundit të Institutit Australian për Politika Strategjike, të quajtur Ekonomia në hije online në rajonin e Azi – Paqësorit, ju thoni se ka të dhëna në rritje se shtetet po shfrytëzojnë rrjetet me pagesë për qëllime të ndikimit. Si funksionon kjo?
Jacob Wallis: Kjo gjë është bërë e qartë për ne kur kemi nisur të analizojmë fushata të mëdha dezinformimi, të lidhura me Partinë Popullore të Kinës. Ka pasur të dhëna që janë ofruar nga kompanitë e rrjeteve sociale, të cilat janë lidhur me Qeverinë kineze. Brenda këtyre bazave të të dhënave, ne kemi identifikuar rrjete të llogarive në rrjetet sociale, të cilat kanë qenë nga vendet si Indonezia, Bangladeshi, apo edhe Rusia. E kemi parë se në këtë bazë të madhe të të dhënave, disa llogari kanë qenë të lidhura me shtete tjera. Ajo çfarë kemi zbuluar duke analizuar këto rrjete është se brenda tyre ka pasur rrjete që janë paguar me qëllim të ndikimit dhe një ekonomi në hije, ku personat që kanë vepruar në atë treg, kanë shitur punën e tyre te ofertuesi më i lartë. Në kësi raste, konsumatore ka qenë Qeveria kineze.
Radio Evropa e Lirë: Ne kemi mësuar nga raporti juaj se prodhimi i dezinformatave shpesh shërben si biznes i madh. A mund të na thoni se cilat shtete përfitojnë më së shumti nga veprime të tilla?
Jacob Wallis: Ka mënyra të ndryshme për t’u përgjigjur në këtë pyetje. Njëra qasje do të ishte se këto tregje krijojnë mundësi për shtetet, të cilat janë të gatshme të krijojnë fushata dezinformimi, kështu që shtete si Kina, Rusia do të shfrytëzojnë këto shërbime nga jashtë për të maskuar përfshirjen e tyre në këto aktivitete dhe në këtë lloj ndikimi, sepse kështu mund të mohojnë gjithçka. Në këtë mënyrë, këto shtete përfitojnë nga këto tregje, sepse vende si Kina, kanë shfrytëzuar rrjete nga vendet si Rusia, Indonezia, Bangladeshi. Më pas Qeveria ruse ka përfituar përmes Agjencisë së saj për Kërkime në Internet si dhe nga operatorë të vendeve tjera nga Nigeria dhe Gana.
E dimë se përmes këtyre rrjeteve krijohet mohim i besueshëm për akterët shtetërorë, mirëpo në anën tjetër ka edhe përfitime nga sipërmarrësit që janë të përfshirë në aktivitete të tilla. Një qendër për aktivitete të tilla është këtu në pjesën ku jetoj unë, në Australi, dhe kemi vërejtur aktivitet të madh në rajonin e Azi-Paqësorit për një mori arsyesh: qasja në internet, tregu i lirë por, relativisht i edukuar mirë, dhe fuqi e re punëtore, e cila mund të mobilizohet nga persona që dëshirojnë të fitojnë duke ofruar shërbime me qëllim të ndikimit.
Fushata e zgjedhjeve – mundësi që njerëzit të përfitojnë nga dezinformatat
Radio Evropa e Lirë: Ju po ashtu e keni përmendur se rrjete dashakeqe kanë shënjestruar zgjedhjet federale të Australisë më 2019, sidomos nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, duke publikuar lajme të rreme dhe mashtrime nga rrjete të dezinformimit. Pse mendoni se këto shtete kanë shërbyer për kësi aktivitete?
Jacob Wallis: Zgjedhjet, referendumet dhe zhvillime me ndikim të madh politik janë bërë tani burim i financave për bizneset e angazhimit të njerëzve për qëllime ndikimi, sepse në këtë periudhë ka aktivitet më të madh në rrjetet sociale, rritje të interesimit për politikë, dhe njerëzit janë lehtë të lakueshëm pasi janë të përfshirë me emocione në zhvillimet politike. Kështu, këto periudha të bërjes fushatë gjatë zgjedhjeve janë kthyer në mundësi të madhe për personat që përfitojnë nga dezinformatat, dhe disa janë të motivuar pikërisht nga financat për të krijuar aktivitetet nëpër rrjetet sociale.
E dimë se ekziston një numër i sipërmarrësve mesatarë, të cilët kanë shfrytëzuar ndjenjat e fuqishme politike në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara dhe gjithë ai aktivitet është zhvilluar nga një vend i vogël i quajtur Veles në Maqedoni të Veriut, derisa më 2019, gjatë fushatës për zgjedhjet federale në Australi, transmetuesi televiziv australian ka gjetur pas një hulumtimi se, ka pasur persona nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut që kanë shfrytëzuar emocionet e fuqishme politike që janë shfaqur nëpër rrjetet sociale.
Ata kanë krijuar faqe të mëdha në Facebook duke përzier emocione të lidhura me kombin, apo edhe me tema të tilla si islamofobia. Aty janë mobilizuar grupe të mëdha njerëzish dhe më pas rrjetet në Facebook janë ushqyer me linqe dhe adresa në internet me përmbajtje nga ambienti ynë. Secilën herë që një përdorues i Facebook-ut ka klikuar në atë link, atëherë aty janë shfaqur reklama dhe më pas ajo reklamë ka gjeneruar të hyra. Ky model biznesi është ndërtuar për të drejtuar njerëzit drejt një ambienti në shërbim të reklamave, sepse përmes reklamimit rriten të hyrat dhe baza e ekonomisë digjitale.
Dekadë e konkurrencës së madhe
Radio Evropa e Lirë: A e dimë kush ka qenë mbrapa këtyre grupeve që kanë shpërndarë përmbajtje mashtruese apo të rreme?
Jacob Wallis: Kemi informacion të kufizuar dhe krejt çfarë dimë për këto grupe janë lokacionet e tyre, sepse mjetet teknike na lejojnë të identifikojmë vendndodhjen, mirëpo nuk mund ta dimë se kush është i përfshirë. Qëllimi ka qenë i qartë për rritje të të hyrave. Ato kanë qenë aktivitete të motivuara politikisht, sepse materialet janë kopjuar dhe shpërndarë nëpër internet nga faqet tjera për të krijuar audienca në rrjetet sociale dhe për t’i drejtuar më pas ato audienca te përmbajtjet dezinformuese, që kanë pasur synim dhe kështu është rritur fitimi.
Rreziku nga perspektiva e sigurisë kombëtare është se këta persona mund të shndërrohen në degëzime për shtetin. Në studimin tonë, kemi përmendur sesi faqet me përmbajtje nxitëse që veprojnë në rajonin e Azi-Paqësorit, kanë bazën në Singapor, ndonëse janë shumë të lidhura me mediat shtetërore kineze. Kjo nuk do të thotë domosdo se ekzistojnë lidhje të dëmshme mes shtetit kinez dhe faqeve me përmbajtje nxitëse.
E kemi theksuar edhe në raport dhe lidhja është vetëm financiare. Këta persona e kuptojnë se duke e lidhur përmbajtjen e tyre me ato të mediave shtetërore kineze, ata mund të zgjerojnë audiencat sepse mediat shtetërore kineze veçse kanë ndërtuar këto audienca dhe nëse e lidhin përmbajtjen me to, atëherë edhe ata arrijnë tek audienca e njëjtë, dhe duke shfrytëzuar modelin e njëjtë të biznesit përmes reklamave, këta njerëz i rrisin të hyrat.
Kjo gjë është vërtet e rrezikshme, sepse kemi hyrë në një dekadë të konkurrencës së madhe, dhe nëse ka aktorë të motivuar politikisht që lidhen me shtete të fuqishme autoritare, të cilat kanë vullnet për të përdorur dezinformimin dhe propagandën, atëherë kjo gjë mund ta formësojë rajonin në mënyra që nuk janë të favorshme për vendet e hapura demokratike.
Qeveritë duhen t’i shmangen armiqësimit me rrjetet sociale
Radio Evropa e Lirë: Dikush mund të thotë se Australia është shumë larg Kosovës dhe Shqipërisë. Kur flasim për arsyet pse këto shtete janë përfshirë në këtë aktivitete, a mendoni se tregu i lirë është një nga arsyet e kësaj përfshirjeje?
Jacob Wallis: Natyrisht. Këto persona janë baza e ekonomisë digjitale. Ata mund të kenë mundësi të kufizuara dhe e shohin se këtë lloj biznesi mund ta shfrytëzojnë. Rrjetet sociale u mundësojë të arrijnë nëpër audienca që ndryshe nuk do të mund t’i kishin. Duke krijuar këto faqe, për të cilat nuk duhet investuar shumë në përmbajtje, pra nuk është Radio Evropa e Lirë, por një përmbajtje e cila vidhet nga faqe tjera në internet dhe përmes tyre ata krijojnë të hyra me shpenzime të vogla. Këto sipërmarrje i shoh duke dalë nga vendet që potencialisht nuk kanë shumë mundësi tjera dhe kjo mundësi është ideale për ta, të cilën mund ta shfrytëzojnë.
Por kjo gjë ka rreziqet e veta, sidomos në periudhë të zgjedhjeve, pasi persona të motivuar financiarisht mund të krijojnë formësime që nuk janë të shëndetshme dhe më pas ato hapësira mund të shfrytëzohen nga shtetet tjera për të ndërhyrë në zgjedhjet e rivalëve të tyre strategjikë.
Radio Evropa e Lirë: Në raportin tuaj ju thoni se qeveritë mund të punojnë në këtë drejtim, pra mund të fokusojnë këto grupe që të punojnë në diçka më kreative, në vend të prodhimit të një përmbajtje të tillë.
Jacob Willis: Kjo është mënyrë e vlefshme e të menduarit rreth kësaj sfide, sepse qeveritë kanë tendencë që të krijojnë qasje armiqësore me kompanitë e mëdha të rrjeteve sociale. Ekzistojnë një mori çështjesh pse krijohet ajo qasje. Ne këtu në Australi jemi përballur me diçka të tillë, pasi Facebook ka pushuar së transmetuari lajmet nga Australia për shkak të një legjislacioni që është miratuar përmes Parlamentit. Kjo gjë krijon më pas fërkim sa i përket sovranitetit të proceseve qeveritare dhe ofruesve të mëdhenj të informacionit në gjithë botën dhe është diçka për të cilën nuk mund ta kthejmë kohën mbrapa.
Si funksionojnë faqet me përmbajtje nxitëse?
Radio Evropa e Lirë: A mund të flasim pak për faqet me përmbajtje nxitëse. Çfarë duhet të dimë për to?
Jacob Wallis: Kur flasim për faqe me përmbajtje nxitëse, atëherë flasim për veprime jolegjitime, që kanë tendenca të jenë të ndaluara, nuk ka fakte gazetareske në prodhimin e asaj përmbajtjeje, theksi është te sasia e përmbajtjes dhe qasja e sa më shumë njerëzve në to, si dhe manipulimi i këtyre audiencave për të hyra financiare. Përmbajta është tipike për të rritur aktivitetin mes njerëzve, nuk ka merita tjera në të, nuk është gazetari, nuk ka synim informimin, por as edhe të argëtojë sepse pjesa më e madhe e përmbajtjes është marrë nga faqe tjera në internet dhe ka synim përfitimin. Sa u përket punëtorëve, ata e shohin këtë punë si angazhim shtesë përveç një pune tjetër. E gjithë puna është në shpërndarje të përmbajtjes, ndonjëherë edhe përmes llogarive personale apo përmes një rrjeti të tërë të llogarive të rreme, me qëllim të përhapjes së përmbajtjes.Zemërimi nga media sociale
Mirëpo nëse shikojmë një shkallë më lart, ekzistojnë edhe shërbime që ofrohen qoftë si shërbime marketingu. Ne kemi analizuar disa llogari nga Indonezia, të cilat kanë promovuar blerjet online, pije dhe kanë mbështetur programin e vaksinimit të qeverisë apo agjendën qeveritare. Çfarë dyshojmë se është duke ndodhur këtu është se këto rrjete janë financuar për konsumatorë potencialë dhe tani shpërndajnë çfarëdo përmbajtje që kërkon klienti.
Rreziku ekziston në faktin ky aktivitet është shumë pak i rregulluar. Nuk kuptohet mirë, nuk dokumentohet mirë dhe kjo nënkupton se shtetet që dalin kryesisht nga regjimet më autoritare, kanë shoqëri civile të dobët, pak media të pavarura, andaj nëse Qeveria fshehurazi – përmes këtyre aktiviteteve me pagesë synon të krijojë opinion publik – atëherë kjo gjë nuk është domosdo e shëndetshme për nivelin e demokracisë. Prandaj ne sugjerojmë që këto aktivitete të rregullohen më mirë, duhet të kuptohen më mirë. Qeveritë dhe partitë politike duhet të zotohen se nuk do të përdorin llogari të rreme, sepse besojmë se kjo gjë kalon vijën e kuqe sa i përket ndikimit legjitim.
“Qeveritë duhet të investojnë shumë në mesazhe pozitive publike”
Radio Evropa e Lirë: A duhet të fajësojmë vetëm rrjetet sociale për këto aktivitete, a janë duke bërë ato mjaftueshëm për të luftuar diçka të tillë?
Jacob Wallis: Mendoj se fajin duhet ndarë në disa pjesë. Rrjetet sociale kanë pasur rrite astronomike, që tejkalon edhe imagjinatën e tyre. Ato veprojnë në tregje ku ka rrezik të madh politik për to. Këto kompani nuk e kuptojmë domosdo secilin ambient në të cilin punojnë, prandaj ata duhet të punojnë që të jenë në gjendje të kuptojnë kontekstin politik në të cilin veprojnë. Mendoj se qeveritë duhet të tentojnë të krijojnë një ambient të përshtatshëm si do të punojnë me këto platforma.
Radio Evropa e Lirë: Pandemia e koronavirusit ka rrezikuar gjithçka deri më tani. Siç e keni thënë edhe ju në një tjetër raport, pandemia ka instaluar një epokë të re të dezinformimit, ku mund të shohim gërryeje të informacionit kredibil. Si mund ta luftojmë këtë gjë?
Jacob Wallis: Kjo është sfidë e madhe sepse kemi popullsi nën stres. Njerëzit janë duke tentuar që të gjejnë kuptim në situatat në të cilat ndodhen. Si e bëjmë këtë gjë? Duke qëndruar online, ne përfshihemi në rrjetet tona kredibile në mediat sociale, mund të kërkojmë përmes Google-it, apo makinave tjera të kërkimit për të kuptuar si mund ta kalojmë stresin që jemi duke kaluar. Njerëzit janë duke u përballur edhe me ndikim financiar, i cili ka potencial të tjetërsimit të shoqërive.
Cila është vaksina për dezinformata?
Prandaj qeveritë duhet të investojnë shumë në mesazhe pozitive publike, të cilat iu ndihmojnë njerëzve të kuptojnë si duhet ta kalojnë pandeminë, por edhe duhet të luftojnë mesazhet negative nga aktorë shtetërorë që janë duke shfrytëzuar pandeminë për pikë politike, por edhe nga disa grupe ekstremiste, të cilat shohin pandeminë si mundësi.
Ky është një tjetër rast kur partneriteti mes qeverisë dhe industrisë bëhet i domosdoshëm, sepse rrjetet sociale në këtë rast marrin vendimet dhe jo qeveria. Kompanitë e rrjeteve sociale duhet të marrin vendime se cilat rrjete të bllokojnë apo të pezullojnë dhe çfarë lloj mesazhesh janë të duhura dhe cilat duhet të fshihen. Vetëm përmes një bashkëpunimi të tillë pozitiv në mes të qeverisë dhe industrisë, mund të krijohet një ambient që i shërben më së miri interesit të popullatave në demokraci. /REL