Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov e ka quajtur të çuditshëm inskenimin e vdekjes së një gazetari rus në Ukrainë. Në një reagim pas ngjarjes, Peskov ka kërkuar që Ukraina të mbajë përgjegjësi për akuzën se Moska ka komplotuar vrasjen e gazetarit Arkady Babchenko, i cili u shfaq shëndoshë e mirë në një konferencë në Kiev, një ditë më parë.
Jemi të lumtur që gazetari rus Arkady Babchenko është gjallë, por inskenimi i vdekjes së tij ishte i çuditshëm. Ka qenë ky reagimi i zëdhënësit të Kremlinit Dmitry Peskov, pasi gazetari i cili u raportua se ishte vrarë në Kiev, u shfaq në mënyrë dramatike gjatë një konference për shtyp nga shërbimi shtetëror i sigurisë në Ukrainë.
Sipas Peskov, kjo ngjarje nuk ka ndryshuar qasjen e Rusisë ndaj Ukrainës, të cilën e konsideron një ambjent të rrezikshëm për të zhvilluar gazetarinë.
Të mërkurën, gazetari Arkady Babchenko u shfaq mrekullisht i gjallë krah autoriteteve ukrainase të sigurisë, vetëm një ditë pasi ai ishte shpallur i vdekur për shkak të plagëve me armë zjarri në kurrizin e tij.
Autoritetet deklaruan se vdekja e Babchenkos ishte inskenuar për të shmangur një tentativë të vërtetë vrasjeje ndaj gazetarit rus, i cili njihet si një nga zërat më kritikë të presidentit Vladimir Putin. Kreu i shërbimit të sigurisë shtetërore ukrainase Vasyl Hrytsak deklaroi se forcat e sigurisë ruse kishin rekrutuar një shtetas ukrainas për të gjetur vrasës me pagesë.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov i është përgjigjur edhe këtij pretendimi, duke i kërkuar zotit Hrytsak të mbajë përgjegjësi për fjalët e tij.
“Përndryshe ai do të duket si kolegët britanikë,” u shpreh Peskov.