Agrumet ofrojnë një thesar vitaminash dhe antioksidantësh që mbrojnë qelizat e organizmit tonë nga radikalet e lira, shkaktare të shumë sëmundjeve kronike.
Portokallet veçohen si ndër agrumet më të pasura në ushqyes dhe vitamina.
Tregjet janë plot e për plot me portokalle por ato të stinës padyshim janë më të shijshmit dhe më të mirët.
Për të ruajtur pasurinë e tyre në vlera, ekspertët këshillojnë ngrirjen e fetave të portokallit për përdorim të mëvonshëm gjatë vitit.
Si t’i ruani portokallet në ngrirje
Hapi i parë i këtij procesi është sigurisht larja e duarve dhe më pas përpunimi i portokalleve.
Zgjidhni portokalle që kanë një lëkurë jo të dëmtuar dhe më pas lajini.
Mos përdorni sapun apo solucione të tjera sepse përthithen nga fruti.
Nëse portokallet synoni t’i përdorni për shtrydhje, atëherë mos e hiqni lëkurën.
Nëse dëshironi t’i përdorni vetëm për ngrënie atëherë hiqjani lëkurën.
Mënyrat e ngrirjes janë dy: me sheqer dhe shqeto.
Nëse zgjidhni të parën, fetat e portokallit renditini në një kavanoz qelqi dhe mbulojini me shërbet me një përmbajtje prej 40 përqind sheqer.
Sheqeri nuk është i fort domosdoshëm për ngrirje por ndihmon në ruajtjen e ngjyrës dhe tulit të frutit.
Nëse nuk dëshironi të përdorni sheqer, përdorni lëngun e portokallit dhe mbusheni kavanozin duke lënë hapësirë në sipërfaqe për ngrirje.
Në variantin e thatë, fetat e portokallit mund t’i fusni në qese të përshtatshme për ngrirje.
Qeset nuk duhen mbushur plot me feta dhe duhet të kenë hapësirë.
Në temperaturat e acarta të seksionit të ngrirjes në frigorifer, fetat e portokallit mund të qëndrojnë deri në gjashtë muaj.
Ngrirja është një metodë e mirë për të ruajtur vlerat ushqimore dhe aromat e një produkti të caktuar.
Megjithatë, gjatë ngrirjes, frutat në përgjithësi mund të humbasin deri në 25 përqind të sasisë së vitaminës C që ato ofrojnë.
Përdorimi i portokalleve të ngrira
Para përdorimit, fetat e portokallit duhen nxjerrë nga qesja dhe duhen lënë të shkrijnë vetë në temperaturë ambienti për 4-6 orë.
Nëse ato i keni vendosur në qelq, kullojini, shpëlajini dhe më pas përdorini.