Ballina Jeta Familje Si t`i bindim fëmijët…

Si t`i bindim fëmijët…

Ky shkrim është një guidë për prindërit, si t’ia dalin mbanë me diktatorët e vërtetë në jetën e tyre: fëmijët!

Mosbindja duket sikur ka lindur bashkë me ta dhe zhvillohet aq shumë në moshën parashkollore, sa që shumë prindër përfundojnë të mundur pasi nuk ia kanë dalë as me këshilla, as me urdhëra, as me dënime…

Të vegjlit janë njësoj si ne të tjerët, ata shpesh refuzojnë të dëgjojnë prindërit e tyre.

Në fakt, në moshën e tyre, jemi ne që duhet t’i mësojmë se si të tregohen të vëmendshëm. “Por ajo që ndodh shpesh,” thotë Roni Leiderman, dekani i Qendrës së Familjes në Nova Southeastern University në Florida.

“Prindërit i përsërisin gjërat nga 10 herë, e më pas u caktojnë edhe dënime fëmijëve të tyre, nëse nuk bëjnë atë që thonë ata. Por, pikërisht kjo bën që fëmijët të mos dëgjojnë asgjë derisa u thuhet diçka 10 herë.”

Duke mos qenë të vëmendshëm ndaj asaj që ju thoni, fëmija përpiqet të fitojë edhe më shumë vëmendje. Të qenit një dëgjues i mirë, e ndihmon atë të mësojë në mënyrë më efektive, të merret vesh më mirë me ju, mësuesit e tij, dhe me të rriturit e tjerë, si edhe të bëjë më shumë miq të rinj.

Ka disa strategji, të cilat nëse ndiqen vazhdimisht, do t’u mësojnë fëmijëve aftësinë e të qenit dëgjues të mirë. Dhe, siç thekson Leiderman, “nuk është asnjëherë shumë shpejt të fillosh të mësosh fëmijën tënd.”

Flisni në “gjatësinë” e tyre

Ashtu siç mund ta keni kuptuar, të punosh me fëmijën tënd nga një pikëvështrim më i lartë, rrallë ka efektin e dëshiruar. Uluni në gjatësinë e tij, ose ngrijeni atë në gjatësinë tuaj.

Ai do t’iu dëgjojë me më shumë vëmendje, nëse për shembull i uleni afër dhe i kujtoni të hajë cornflakes-at, apo uleni për pak kohë në krevatin e tij/ saj përpara se të bjerë në gjumë.

Kontakti me sy është gjithashtu shumë i rëndësishëm dhe efektiv nëse qëndroni ballë për ballë me fëmijën tuaj.

Tregohuni të qartë

Përcilljani mesazhin qartë, thjesht dhe në formë autoritare. Fëmija juaj ka rrezik të shpërqëndrohet nëse zgjateni shumë me një temë. Shmangini fjalitë e gjata, që ai mund të mos i kuptojë si: “ Bën shumë ftohtë jashtë dhe ti ke qënë sëmurë së fundmi, prandaj dua të vishesh trashë, përpara se të shkojmë në dyqan.”

Ndërkohë që do ishte shumë më mirë nëse thjesht i thoni: “Erdhi koha të veshësh pallton.”

Kështu edhe nuk i lini hapësirë që ai të mendojë se ka ndonjë zgjidhje tjetër. Por, ka raste kur është e nevojshme që t’i lini fëmijës mundësi të zgjedhin vetë. Vetëm se duhet të jeni plotësisht të sigurtë për të gjitha opsionet që po i ofroni, përpara se t’ia ofroni, dhe shprehni në fund vetëm dy zgjedhjet më të mira.

Duke kufizuar opsionet, ai do të ndihet më i pranishëm në zgjedhje e për rrjedhim do të kënaqet më shumë me rezultatet.

Kryeni veprimet shpejt

Bëjani të qartë se e mendoni vërtet atë që thoni, dhe mos bëni premtime që nuk i mbani dot në fund. Nëse i thoni djalit tuaj 2-vjeçar që “Duhet të pish pak qumësht tani.” mos e lini shumë kohë derisa t’i jepni qumështin, duke bërë që ai të përfundojë me një lëng frutash.

Sigurohuni që bashkëshorti apo partneri juaj t’i njohë mirë e t’i respektojë këto rregulla, e nëse ka ndonjë mosdakordësi, diskutojeni me të në kohë.

Është gjithashtu, shumë e rëndësishme për fëmijën tuaj që të ketë dijeni mbi gjithçka që është e rrezikshme. Ju në këtë rast, duhet t’i tregoni mënyrën se si të mbrohet. Për shembull, kur fëmija juaj kalon rrugën, sigurohuni që ta mbani për dore e në këtë mënyrë ai do ta asociojë gjithmonë rrezikun e makinave me të pasurit kujdes prej tyre.

Gjithashtu, mos i përsërisni disa herë rresht instruksione të tipit: “Vendose filxhanin në tavolinë,”. Në vend të kësaj, më mirë tregojani vetë se si duhet ta kryejë veprimin, që ai ta bëjë herën tjetër.

Përforcojeni mesazhin tuaj

Shpesh, është e nevojshme t’i shoqëroni fjalët tuaja me disa lloje të tjera mesazhesh, sidomos nëse po mundoheni ta bëni të ndalojë fëmijën nga ushtrimi i një aktiviteti të lodhshëm.

Në këtë rast, i thoni: “Koha për të fjetur!” dhe më pas, bëjani të ditura këto fjalë duke ndezur e fikur dritat. Vendoseni njërën dorë lehtësisht në shpatullën e tij, në mënyrë që, për shembull, vogëluashi ta spostojë vëmendjen nga kukulla te ju, që ndërkohë e drejtoni për nga shtrati.

Bëni paralajmërime

Jepini fëmijës tuaj disa orientime të vogla, përpara se të ndodhë një ndryshim i madh, sidomos, nëse ai ka të bëjë me lodra apo miq. Përpara se largoheni nga shtëpia, i thoni: “Ne do të dalim pas disa minutash, kur të të thërras, është koha të dalësh dhe të lash duart.”

Jepini instruksione realiste

“Nëse ju i thoni djalit tuaj 2-vjeçar, të largojë lodrën e tij, ai do të hedhë vështrimin vërdallë dhe do të tregojë mosbindje duke e shpërfillur kërkesën tuaj!” shpjegon Leiderman. “Më mirë veproni duke ia hequr lodrat një nga një, një herë lodrën e verdhë, më pas atë blu e me rradhë.”

Motivojeni

Të japësh urdhra mund të funksionojë shumë mirë në disa fëmijë, por shumica prej tyre reagojnë shumë më mirë kur i trajtoni me besim duke i shtuar kërkesave tuaja edhe disa doza humori. Për shembull, mund t’ia përcillni mesazhin tuaj nëpërjet një kënge.

Humori, ngrohtësia dhe besimi që ju tregoni, do të bëjë që ai t’ju dëgjojë me vëmendje sepse do të ndihet i/e veçantë dhe kjo është shumë e rëndësishme: ta bëni fëmijën tuaj të ndihet i veçantë!

Demostrojini sjellje të mira, që edhe ai të sillet po aq mirë

Parashkollorët do të bëhen dëgjues të mirë nëse ju jeni dëgjues të mirë. Bëjeni zakon t’i kushtoni vëmendje fëmijës tuaj, duke e respektuar po aq sa respektoni çdo të rritur. Shikojeni në sy kur ju flet, përgjigjjuni me delikatesë dhe lëreni të mbarojë fjalën deri në fund, pa e ndërprerë.

Mundohuni të mos largoheni, kur ju duhet të shihni gjellën apo kur “fjalimi” i tij është disi më i gjatë se zakonisht. Bëni durim! Vetëm kështu do të jepni shembullin e mirë e do të bëni që edhe ata të mësojnë t’ju dëgjojnë.

Bëjani të ditur fëmijës tuaj, kur ai është duke u sjellë mirë

Sa shpesh keni qenë në situata, kur ju është dashur t’i thoni fëmijës tuaj se e ka gabim? A do ta dëgjonit ju dikë, për shembull bosin tuaj, i cili ju tërheq vëmendjen, duke ju dhënë vetëm vlerësime negative?

Po ashtu, edhe fëmija juaj do të jetë shumë më i vëmendshëm nëse i jepni vlerësime pozitive dhe i bëni të ditur se kur është sjellë mirë. Ai do të ndihet shumë mirë nëse pasi i keni caktuar një detyrë, e vlerësoni me “Punë e mirë! Jam krenar për ty.”/Mesazhi/

Exit mobile version