Ballina Artikuj Si të ushqejmë ndjenjen e përgjegjësisë kolektive ndaj komunitetit

Si të ushqejmë ndjenjen e përgjegjësisë kolektive ndaj komunitetit

Hoxhë Nexhmedin Ademi

Feja disponon me mundësi reale për vetëdijesimin e xhematit për rolin që ka në shërbim të mirës së përgjithshme. Ajo na nxitë për angazhim ekipor, solidaritet të ndërsjellë dhe ndjesi për jetë aktive shpirtërore, materiale dhe sociale.
Islami nuk e preferon kritikën boshe pa motivim. E ka gjykuar rëndë fjalën pa vepër. Nuk ka vend për fjalë aty ku nuk veprohet. Piktorin nuk e brengos vetëm vendosja e ngjyrave mbi pikturën e tij në emër të kritikës, pa provuar të sjellë dikush një brushë për ta përmirësuar pikturën apo bërë një më të mirë.
Shoqëria vuan nga tri grupe:
● grupi i parë është i mirë me të gjithë dhe nuk çan kokën për jetën në komunitet.
Pejgamberi (a.s.) thotë: “Besimtari i cili përzihet me njerëzit dhe bën durim ndaj fyerjeve të tyre, është më i mirë sesa ai që nuk përzihet me njerëzit dhe nuk i duron fyerjet e tyre.”
● grupi i dytë, pak më i vogël, i njerëzve përbëhet nga ata që do të vendosnin pika të kuqe në çdo gjë që bëhet, qoftë në xhemat, në komunitet apo në shoqëri.
Për ata askush dhe asgjë nuk është e mirë. Të gjithë janë hajdutë, të gjithë janë injorantë, të gjithë janë të pandershëm… vetëm ata janë të mirë.
„Në zemrat e tyre ka një sëmundje, të cilën Allahu ua shton. Ata i pret një dënim i dhembshëm, për shkak të hipokrizisë së tyre. Kur u thuhet: “Mos bëni çrregullime në tokë!” – ata thonë: “Ne bëjmë vetëm përmirësime në tokë!” (el-Bekare, 10-11)
Xhelaludin Rumi ka thënë: “Nuk ka nevojë për njerëz që japin këshilla, por ka nevojë për njerëz që japin shembull.”
● Dhe grupi i tretë, më i vogli, por tek Allahu i Plotfuqishëm, grupi më i vlefshëm dhe më i mirë i njerëzve, janë njerëzit për të cilët Allahu i Plotfuqishëm në suren el-Asr thotë: „Pasha kohën! – Me të vërtetë, njeriu është në humbje, përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i këshillojnë njëri-tjetrit të vërtetën e i këshillojnë njëri-tjetrit durimin.“
Ata janë njerëzit që janë aktivë në shoqëri; që janë të parët kur duhet për të bërë diçka. Jo vetëm që këshillojnë, por janë aktiv dhe i prijnë aksioneve
Duhet pasur kujdes se këta më së shumti politizohen e përgojohen. Këta nuk janë pa mëkate, por meritojnë mbështetjen në arritjen e qëllimeve të përbashkëta.
Këta i ngjajnë kosherës së bletëve dhe familjes sê milingonave që shquhen për organizim kolektiv, e jo shembullit të marimangës e cila dallohet me angazhim të vetmuar në ndërtimin e shtëpisë.
Shoqëria, xhemati, hoxhën, mësuesin, intelektualin nuk duhet t’i trajtojë si punërorë uzine me pagesë. Këto janë profesione që nuk japim prodhime serike. Përkundrazi, mbjellin arsimim dhe edukim. Hoxha i cili angazhimin e vet e redukton në zanat për mbijetesë ekzistence, nuk e meriton mbështetjen e xhematit. Mosvlerësimi më i madh i xhematit ndaj hoxhës është kur e kualifikon atë si punëtor fabrike.

(Shkurtesë nga ligjërata e ditës së premte)

Hoxhë Nexhmedin Ademi

Exit mobile version