Si të silleni me një shef kërkues?

Ju keni pasur shumë kërkesa nga shefi juaj, kërkesa për të realizuar një projekt në më pak se një ditë, kërkesa për të punuar gjatë një fundjave në diçka që doli papritmas, kërkesa për të trajtuar një projekt që nuk është në kompetencat tuaja. Lista mund të vazhdojë pa pushim, por rezultati është i njëjtë: jeni të rraskapitur dhe të irrituar dhe do të hiqnit dorë nëse mundeni. Si mundet dikush në atë situatë të mendojë pa frikë se do të humbasë punën?

“Puna e tepërt në çdo moment në kohë mund të jetë një bezdi, madje edhe në kohërat më të mira”, thotë Dan Ni, CEO i Messaged.com, i cili tregon se problemi lind kur një punonjës nuk di kur të thotë ‘jo’ ose kur ata nuk e kuptojnë se si t’i qasen profesionalisht një shefi me ankesat e tyre.

“Në realitet, të kundërshtosh shefin tënd nuk është aq e frikshme sa tingëllon, thjesht duhet të zgjedhësh planin e duhur dhe taktikat e duhura”.

Pyes veten se cilat mund të jenë këto “taktika të duhura”? Më poshtë janë disa sugjerime.

Prisni pak kohë – “Përpara çdo gjëje, kuptoni vlerën dhe kontributet tuaja si punonjës”, thotë Ni. “Të thuash ‘jo’, për disa punë herë pas here, jo vetëm që do të të lehtësojë ngarkesën e punës, por do të rrisë edhe besueshmërinë tënde si punonjës. Nëse jeni të mirë në atë që bëni, nuk mund të jetë problem. Të shpëtosh veten nga ‘burnout’ do të të ndihmojë si ty ashtu edhe kompaninë.”

Programoni një takim kokë më kokë me shefin tuaj – “Përpiquni të kryeni detyrat, pa ankesa, për një javë. Më pas caktoni një takim me shefin dhe tregoni orët e punës dhe rezultatet e asaj jave”, sugjeron Gian Moore, partner dhe drejtor marketingu në Mellowpine.

“Sigurohuni që të përfshini prova dhe vini re ndryshimin midis atyre orëve edhe nga një periudhë e mëparshme, gjatë së cilës keni pasur detyra më normale dhe të arritshme që ishin brenda përshkrimit të punës tuaj dhe zyrtarisht u pajtuan për oraret e punës,” thotë Moore.

Përqendrohuni në fakte, jo në emocione – “Një mënyrë për t’iu qasur situatës është t’i kërkoni shefit tuaj të rishikojë kalendarin tuaj dhe detyrat më të rëndësishme për muajin e ardhshëm”, këshillon autori i zhvillimit personal Ryan Hart.

“Uluni së bashku me një stilolaps dhe një kalendar bosh. Pastaj filloni të plotësoni afatet dhe momentet e projektit. Ky ushtrim mund të ndihmojë si shefin ashtu edhe punonjësin të vizualizojnë se ku po shpenzohet koha e tyre dhe mënyrat për të përmirësuar situatën”.

Jini të sinqertë, jo përçmues. Shkoni te shefi juaj dhe paraqisni objektivin e punës suaj dhe problematikën që keni për ta përfunduar atë, thotë Ni. “Ofroni grupin tuaj të zgjidhjeve më të mira të mundshme që mendoni se mund të funksionojnë, mos iu drejtoni atyre me më shumë probleme,” thekson ai.

“Kurrë mos jini përçmues ndaj shefit tuaj dhe mos e drejtoni drejtpërdrejt fajin”, thotë Moore.

“Bëni të duket sikur po i edukoni ata për ngarkesën tuaj të re të punës”.