Si të përgatisni shurup shege në kushtet e shtëpisë

Shega është një frut që përputhet shumë mirë me gatime të ndryshme në kuzhinë.

Përveç pasurisë së saj të vitaminave, mineraleve dhe antioksidantëve, kokrrat e saj të kuqe mund të jenë një element fantastik i sallatave të shëndetshme me perime.

Shega mund të shoqërojë tërshërën për mëngjes, ose të kombinohet me kos.

Lëngu i saj ka vlera të jashtëzakonshme për organizmin e njeriut, të cilat mund t’i mësoni duke lexuar këtu.

Shurupi i shegës është një mënyrë shumë e mirë për të marrë më të mirat e këtij fruti dhe për ta përdorur më lehtë në shumë receta gatimi.

Shurupi është i trashë, i ëmbël dhe i jep aromë fantastike shumë recetave.

Ngjyra e tij është e kuqe me nuancë të kafenjtë.

Shurupi shkon shumë në sallata dhe për marinimin e mishit dhe peshkut.

Ky shurup përgatitet shumë lehtë në shtëpi.

Mjafton të zieni lëngun e shegës me sheqer dhe lëng limoni për një orë.

Përbërësit:

  • 4 filxhanë çaji lëng shege
  • 2 filxhanë çaji sheqer
  • Lëngu i një limoni mesatar

Përgatitja:

  • Qëroni shegët dhe nxirrni kokrrat e kuqe si rubini.
  • Shtrydhini ato që të përfitoni 4 filxhanë çaji lëng.
  • Kjo sasi përfitohet duke shtrydhur gjashtë deri në shtatë shegë.
  • Vendoseni tenxheren në zjarr dhe në të hidhni lëngun e shegës, sheqerin dhe lëngun e limonit.
  • Kur lëngu të marrë valë, uleni zjarrin në nivel mesatar.
  • Më pas lëreni shurupin të ziejë për rreth një orë pa e mbuluar tenxheren me kapak.
  • Herë pas here përziejeni me lugë druri që të pengoni ngjitjen e sheqerit në fund të tenxheres.
  • Kur lëngu të trashet mjaftueshëm, hiqeni tenxheren nga zjarri dhe lëreni të ftohet për 30 minuta.
  • Shurupin futeni në një kavanoz qelqi dhe ruajeni në frigorifer për deri në 6 muaj.