Si të përgatisni në shtëpi trileçen më të mirë që keni provuar ndonjëherë (RECETA)

Kjo recetë u përgatit nga Unëgatuaj.com

Torta e ftohtë trileçe ose në gjuhën origjinale “Pastel de Tres Leches” e ka marrë këtë emër pikërisht nga 3 llojet e qumështit që ajo perdor (leche ne spanjisht do te thote qumesht). Ekziston akoma konflikti se cili vend e krijoi i pari që në vitet 1900, megjithatë nuk ka shumë rëndësi ky detaj. Sot kemi vendosur ta përgatisim për kënaqësinë tuaj.

PËRBËRËSIT PËR NJË TAVË ME MADHËSI 17X20CM: 4 vezë, 120 g miell, 4 lugë gjelle me sheqer, një majë luge kripë, 1 pako e vogël pluhur pjekës, 500 ml qumësht të zakonshëm, 100 ml krem panna për ëmbëlsira, 200 ml qumësht i kondensuar dhe 400 g salcë karameli.

PËRGATITJA: Fillimisht ndajmë të bardhat nga të verdhat e vezëve. Duhet të kemi shumë kujdes që të dyja të ndahen në mënyrë perfekte. Rrahim të bardhat e vezëve me pak kripë derisa të na formohet një shkumë e qëndrueshme që nuk bie nga ena. Shtojmë më pas sheqerin dhe të verdhat e vezëve dhe i rrahim për disa sekonda. Shtojmë miellin dhe pluhurin pjekës të situr dhe e përziejmë masën me kujdes me ndihmën e një spatule në mënyrë qe volumi të mos bjerë. Vendosim një letër furre në bazën e tavës dhe shtojmë brumin duke e niveluar mirë. E pjekim pandispanjën ne 180°C për 25-30 minuta, apo derisa të ketë marrë ngjyre të artë të lehtë në sipërfaqe. Pasi pandispanja është pjekur, e nxjerrim nga furra dhe e lëmë të pushojë 10 minuta. Ndërkohë bashkojmë qumështin me panna-n dhe qumështin e kondensuar duke i përzier mirë me njeri-tjetrin. Nxjerrim pandispanjën me kujdes nga tava dhe e kthejmë përmbys, Kjo bëhet për shkak se pjesa e poshtme është më e fortë dhe duhet të regjet për një kohë më të gjatë në qumësht. Bëjmë disa shpime me thikë ose kruajtëse dhembësh dhe shtojmë 3 llojet e qumështit. Ne fillim mund te duket sikur ka shumë qumësht, por me kalimin e kohës pandispanja do ta thithë të gjithin. Hedhim sipër salcën e karamelit duke e shpërndarë njëtrajtësisht. Sipas dëshirës mund të bëjmë dekorin karakteristik të trileçes me pak çokollate të bardhë të shkrirë.