Ballina Kuzhinë Si të përgatisni kadaifin e shpejtë me sherbet dhe arra

Si të përgatisni kadaifin e shpejtë me sherbet dhe arra

Kadaifi është një ëmbëlsirë që shqiptarët e konsumojnë shumë për festa dhe jo vetëm.

Kjo ëmbëlsirë me origjinë turke është përvetsuar në traditën tonë dhe pasuruar me elemëntë të kulturës shqiptare duke u bërë një ëmbëlsirë mjaft e shijshme, nga ato që të ngelet në mend

Nëse ballkavaja ka nderin të serviret vetëm gjatë Vitit të Ri, kadaifi fijehollë nuk ka nevojë për justifikim.

Atë amvisat e përgatisin sa herë të kenë dëshirë për vetë faktin se bëhet shumë lehtë.

Kadaifi përgatitet nga mielli dhe uji, por sipas preferencës pasurohet me gjalpë, arra, fistik e çokollatë.

Ai piqet duke marrë një ngjyrë të artë dhe më pas përzihet me shërbetin duke u zbutur dhe marrë një shije për të lëpirë gishtat.

Zakonisht, kadaifi përgatitet në tepsi dhe ndahet në feta të vogla katrore.

Kjo është metoda tradicionale por Agroweb.org do t’ju mësojë edhe një mënyrë interesante për servirjen e kadaifit në toptha të vegjël të mbushur me shumë ëmbëlsi.

Kadaif i Mbushur me Çokollatë

Mbushja e kadaifit nuk kërkon shumë mund.

Ajo mund të bëhet në dy mënyra: me duar duke i dhënë kadaifit formën e topthit ose duke përdorur filxhan çaji.

Nëse zgjidhni këtë të fundit, ju rekomandojmë të mbushni gjysmën e filxhanit me fije kadaifi të përziera me gjalpë të shkrirë, më pas shtoni arrat dhe pjesën tjetër mbusheni sërish me kadaif.

Arrat kombinojini me çokollatë të shkrirë për një shije më superiore.

Shtypeni kadaifin mirë që të zëjë formë dhe më pas kthejeni filxhanin përmbys mbi një tepsi të lyer me pak gjalpë.

Nëse nuk ju shkon për shtat kjo metodë, mund të përdorni duart dhe t’i jepni kadaifit formën që dëshironi.

Shërbeti është një tjetër element i rëndësishëm i ëmbëlsirës. Ai duhet të jetë i ngrohtë në mënyrë që të përthithet më mirë nga kadaifi.

Receta Tradicionale e Kadaifit me Arra

Përbërësit

180 gramë kadaif
90 gramë gjalpë të shkrirë dhe të vakët

Për shërbetin

2 gota me ujë
100 gramë sheqer
1 lugë gjelle me lëng limoni

Për mbushjen

60 gramë arra të copëtuara

Udhëzimet

Përzieni sheqerin me ujin. Vendoseni tenxheren në zjarr dhe lëreni të marrë një valë.

Më pas uleni temperaturën dhe zijeni për 15 minuta. Shtoni lëngun e limonit dhe prisni 3 minuta përpara se ta hiqni tenxheren nga zjarri.

Ndizeni furrën në 180C. Hidheni kadaifin në enë shtoni gjalpin dhe përzijini me dorë që të garantoni një lyerje gjithëpërfshirëse të fijeve.

Merrni një filxhan kafeje ose çaji dhe mbusheni gjysmën me kadaifin.

Shtoni pak arra dhe më pas sërish kadaif. Shtypeni me duar dhe vendoseni kokëposhtë në një tepsi të lyer me pak gjalpë.

Vazhdoni me rradhë deri sa të jetë mbushur tepsia.

Futeni në furrë dhe piqini kadaifët e mbushur deri sa të marrin ngjyrë të artë. Hidheni shurupin e ftohtë menjëherë sapo ta keni nxjerrë nga furra.

Mbulojeni mirë dhe lëreni kadaifin të përthithë shërbetin për 1-2 orë. Përpara se ta servirni, hidhni pak pluhur kanelle sipër nëse preferoni.

Exit mobile version