Ballina Kuzhinë Si të pastrojmë frigoriferin?

Si të pastrojmë frigoriferin?

Shëndeti juaj është i lidhur ngushtë me pastërtinë e frigoriferit. Pavarësisht se çfarë lloj frigoriferi keni blerë, kini kujdes që të mos e vendosni pranë shporetit elektrik, radiatorit ose pranë dritares, ku mund t’i ekspozohet diellit.

Po ashtu rregulluesin e ftohtësisë në frigorifer mos e vendosni në temperaturën më të ulët (numri më i lartë në rregullues), sepse do të shpenzoni pa nevojë energji elektrike, ndërsa edhe ushqimi do të ftohej tepër pa ndonjë arsye.

Ushqimin e përgatitur që e lini në frigorifer, mbulojeni ose vendoseni nëpër kuti. Në këtë mënyrë, ushqimi do të qëndrojë më gjatë i freskët, ndërsa në frigorifer nuk do të përhapen erëra.

Për pastrimin e frigoriferit gjithmonë përdorni detergjente të buta, preparate të posaçme për pastrim ose ujë të vakët në të cilin do të qitni pakëz uthull. Para larjes, frigoriferin duhet ta zbrazni, ta hiqni nga rryma dhe ta lini që të shkrihet deri në fund.

Nëse dëshironi ta shpejtoni shkrirjen, në frigoriferin e zbrazët vendosni një enë me ujë të ngrohtë dhe mbylleni derën. Brendësinë e frigoriferit lajeni vetëm atëherë kur të shkrihet në tërësi.

Frigoriferi duhet pastruar çdo javë ose më së largu çdo dy javë të gjitha sipërfaqet pastroni me ujë me sapun ose me ujë të përzier me uthull (që do të largojë aromat e pakëndshme), ndërsa pas shpëlarjes me ujë të pastër fshijeni me leckë të lagësht.

Nëse muret e frigoriferit tuaj janë të mbuluara me një shtresë të hollë të ujit (sikurse vesa), kjo është shenjë se dera nuk mbyllet mirë. Prandaj duhet t’i kushtoni kujdes kornizës së gomës ose nyjës lëvizëse të derës./Mesazhi/

Exit mobile version