Si të largoni erën e keqe nga furra, me këto produkte që i kemi të gjithë në shtëpi

Furra është një nga pajisjet më të përdorura në kuzhinë dhe pikërisht për këtë mund të ndodhë që të mos duroni dot aromat e këqija që vijnë nga brenda. Por si mund t’i hiqni ato?

Për fat të mirë, ka disa përbërës natyralë që përfaqësojnë zgjidhje të vlefshme për të kapërcyer problemin e një furre me erë të keqe.

Molla
Molla ka aftësinë të neutralizojë aromat dhe të parfumojë këndshëm mjedisin. Merrni një mollë dhe qërojeni, e prisni në 4 pjesë dhe piqeni në furrë për rreth 15 minuta në 180 gradë. Në fund të gatimit hapni furrën dhe… nuhatni aromën!

Limoni

Limoni gjithashtu ka veti të neutralizojë aromat dhe t’i japë një aromë të shkëlqyer mjedisit dhe, për këtë arsye, mund të përdoret për të hequr aromat e këqija që vijnë nga furra. Përgatitni një përzierje me 500 ml ujë dhe 150 ml lëng limoni, hidheni në një shishe spreji dhe spërkateni në të gjithë sipërfaqen e furrës, duke përfshirë edhe pjesët anësore.

Një alternativë për përdorimin e limonit është të merrni një tepsi, ta mbushni me pak ujë dhe lëngun e tre limonëve. Në këtë moment ndizni furrën në temperaturë të ulët dhe lëreni të paktën gjysmë ore që të avullojë uji me limonin. Pasi të fiket furra, lëreni tavën ende brenda me derën e mbyllur dhe lëreni furrën të thahet. Në fund, kaloni një leckë mbi të gjitha sipërfaqet.

Uthull ose lëvozhgë portokalli
Në vend të limonit, mund të përdorni edhe uthull (uthull të bardhë ose uthull molle). Bëni një përzierje me ujë dhe uthull dhe spërkateni në të gjitha sipërfaqet e furrës. Lëreni të veprojë për pak dhe shpëlajeni.

Mund të përdorni edhe lëkurat e portokallit për t’i futur në tepsi. Piqini në temperaturë jo shumë të lartë për rreth gjysmë ore.

Sodë buke
Edhe soda e bukës, e njohur për vetitë e saj kundër aromave, është perfekte për të zgjidhur problemin. Krijoni një pastë duke përzier sodë buke me ujë dhe më pas fërkojeni në furrë. Mund ta kombinoni sodën e bukës me uthull./Living